Liderët kosovarë urojnë 30 vjetorin e bashkimit të Gjermanisë

Në 30 vjetorin e bashkimit të popullit gjerman, liderët kosovarë kanë uruar Gjermaninë.

E para nga krerët politik ishte Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ku ka pritur në takim ambasadorin gjerman Joern Rohde dhe ka uruar ambasadorin e popullin gjerman për 3 tetorin, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Po ashtu, Osmani ka thënë se 30 vjetori i bashkimit të të dy Gjermanive përbën frymëzim dhe model për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave demokratike.

“Teksa sot gjermanët kremtojnë, ndonëse me sheshe më pak të mbushura , shkaku i pandemisë, ne bashkohemi me ta për të festuar këtë 30 vjetor dhe për të rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimësinë e miqësisë dhe lidhjes së fortë mes popullit të Kosovës dhe popullit të Gjermanisë”, ka thënë zonja Osmani.

Sipas saj, tre dekada më parë, Gjermania ishte prijetare në zhvillimin politik e ekonomik sepse gjermanët treguan guximin dhe vendosmërinë për të përqafuar vlerat më sublime të demokracisë.

Gjithashtu edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar shtetin dhe popullin gjerman në 30-vjetorin e bashkimit pas rënies së Murit të Berlinit.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se mposhtet çdo tirani kur ka dëshirë për bashkim.

“Dëshira për bashkim, mposht çdo tirani. Urime Gjermani!”, ka shkruar Haradinaj.

E Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në 30 vjetorin e rënies së murit të Berlinit kujton ribashkimin e Gjermanisë.

“Më 1989, me hapjen e kufirit gjermano – gjerman, shumë njerëz nga Lindja kaluan në Perëndim për të shijuar lirinë. Me këtë akt, ata i thyen edhe barrierat ideologjike e politike për t’i dhënë Gjermanisë një kahje perëndimore dhe për të dhënë kontribut qenësorë në formësimin e Evropës së sotme”.

“Gjermania është një ndër partnerët tanë të pazëvendësueshëm, të cilës i jemi jashtëzakonisht mirënjohës dhe pafundësisht falënderues për kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Hoti këtë ditë gjermanëve ua uroi edhe në gjuhën amtare të tyre “Herzlichen Glückwunsch zum Tag der Deutschen Einheit”, që në shqip është Urime Dita e Unitetit Gjerman.

Këtë ngjarje historike për Gjermaninë e ka rikujtuar edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ku ka thënë se ribashkimi i Gjermanisë 30 vjet më parë vendosi themelet e Evropës së bashkuar.

“Kosova me krenari ndan vlerat e unitetit, lirisë dhe demokracisë me aleatët e saj evropianë dhe mbetet e përkushtuar për kultivimin e mëtejmë të këtyre vlerave në funksion të garantimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për çdo qytetar”.

Njëlloj si kryeministri Hoti edhe presidenti Thaçi popullin gjerman e ka uruar në gjuhën amtare të tyre: “Herzlichen Glückëunsch Deutschland!”.

Edhe Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kujton në rënien e Murit të Berlinit dhe ribashkimin e Gjermanisë në 30 vjetorin e saj.

“Ribashkimi i Gjermanisë 30 vjet më parë, një vit pas rënies së murit të Berlinit, përbën një nga ngjarjet historike më të mëdha të shekullit që kaloi, me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për Gjermaninë, por për mbarë Evropën dhe më gjerë”.

“Ajo ditë nuk simbolizon vetëm ri-integrimin e kombit gjerman por edhe mposhtjen e komunizmit, dhënien fund të “Murit të Hekurt” që ndau Evropën për gjysmë shekulli si dhe ngadhënjimin e lirisë dhe demokracisë përkundrejt tiranisë”.

“Në këtë jubile, shpreh urimet më të mira për këtë shtet mik, që na është gjendur pranë në kohët më të vështira e vazhdon të na ndihmoj në sfidat tona dhe që për më tepër, është bërë atdhe i dytë për qindra mijëra bashkatdhetarë tanë”, ka thënë Veseli

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.