Liderët kosovar kujtojnë sulmet e 11 shtatorit

11.09.2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 11 shtatori, sulmet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Osmani në postimin e bërë në Facebook thotë se nderojnë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste. “11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve […]

Liderët kosovar kujtojnë sulmet e 11 shtatorit Foto: Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 11 shtatori, sulmet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Osmani në postimin e bërë në Facebook thotë se nderojnë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste.

“11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, ka pohuar presidentja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Alyson Grunder kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore “Kosova Kujton” e viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëhet e ditur në një komunikatë për media.

Poashtu edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se populli i Kosovës bashkëndjen me popullin amerikan dhe familjet që humbën të afërmit e tyre në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001.

Haradinaj ka thënë se ishim dhe do të jemi përherë krah Amerikës, për demokraci dhe paqe në botë.

“Bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit e tyre në këtë tragjedi, me kombin dhe shtetin amerikan. Ishim dhe do të jemi përherë krah Amerikës, për demokraci dhe paqe në botë”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, sulmi ndaj Kullave Binjake ishte kryer më 11 shtator të vitit 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Si pasojë e këtij sulmi, rreth tre mijë persona kanë humbur jetën. Në mesin e viktimave ishin 2.752 persona, prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Shumica prej viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme.

Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin edhe tre shqiptaro-amerikanët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj. Dedvukaj, Gjonbalaj dhe Camaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore.