Liberalizimi i vizave – padrejtësi ndaj Kosovës që nuk do të hiqet shpejt

Parlamenti Evropian, përmes një raporti të votuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të prezantuar nga deputeti kroat Tonino Piculla, ka kërkuar edhe një herë që të miratohet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe kjo të bëhet pa vonesa.

Kjo thirrje e Parlamentit Evropian nuk është diçka e re. Është përsëritje e qëndrimit që ky institucion i BE-së e ka tash e disa vjet.

Por problemi me liberalizimin e vizave qëndron tek mungesa e vullnetit nga disa shtete të rëndësishme anëtare të BE-së në Këshill. Ndonëse vendimi mund të merret nga Këshilli me shumicë të kualifikuar votash të vendeve anëtare, pasi Franca dhe Holanda janë kundër, dhe disa shtete hezitojnë, një vendim i tillë nuk është fare në rend dite. Dhe diplomatët në Bruksel nuk besojnë se do të jetë shpejt. Situatën e ka bërë më të komplikuar edhe kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por edhe situata politike në Kosovë.

Presidenca kroate e BE-së para disa muajsh mbante një dozë të vogël optimizmi se mund të shfrytëzohej ajo që quhej “atmosferë pozitive” e krijuar pas vendimit të Këshillit të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe që të avancohet edhe heqja e vizave për Kosovën.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, pati thënë në Bruksel (në vizitën e tij të fundit pasi më liderët nuk marrin pjesë fizikisht në takimet e Këshillit Evropian) se “Kroacia ka qëndrim se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim vizash dhe duhet të liberalizohen ato”, por pati shtuar se “për fat të keq disa shtete të rëndësishme të BE-së nuk e ndajnë këtë mendim”.

RAPORTO