Liberalizimi i vizave në Qershor është gjasë e vogël

Ndonëse zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian (BE) vazhdimisht kanë kërkuar nga lidershipi kosovar që të mos jepen data sa i përket kohës se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, liderët e institucioneve të Kosovës nuk po rreshtin së bëri një gjë të tillë. Kësaj radhe presidenti, Hashim Thaçi i përkrahur edhe nga kryeministri, Ramush Haradinaj si afat për liberalizim të vizave po e shohin qershorin e këtij viti.

Por sipas njohësve të integrimeve evropiane shanset që në qershor të merret një vendim për qytetarët e Kosovës sa i takon lëvizjes së lirë, janë të pakta. Madje skeptik për këtë afat janë edhe partitë opozitare në vend.

Si sfidë që liberalizimi të ndodhë në qershor po shihet korrupsioni dhe zhvillimet e fundit politike në vend.

Drejtori i Institutit EPIK në Prishtinë, Demush Shasha ka këshilluar udhëheqësit kosovarë që të fokusohen më shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe mos të japin afate kohore, pasi siç tha ai, kjo tanimë është detyrë e institucioneve të BE-së, transmeton RTK.

Sipas tij, një prej skenarëve të liberalizimit të vizave mund të jetë edhe vendimmarrja në qershor të këtij viti, nëse do të ketë vendim për nisje të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Edhe profesori i të drejtës evropiane, Emrush Ujkani, është shprehur skeptik se Kosova në qershor do ketë një vendimmarrje për lëvizjes të lirë, por thekson se nëse merret ndonjë vendim sa i takon taksës së vendosur ndaj Serbisë, atëherë kjo do e përshpejtonte këtë proces.

Ujkani duke folur për KosovaPress u shpreh se lidershipi kosovarë duhet të jetë më i kujdesshëm kur jep afate për liberalizimin e vizave, pasi që ky proces siç shprehet ai më nuk është në duart e tyre.

Për profesorin e të Drejtës Evropiane edhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe konstituimi i tij do e zvogëlojnë mundësinë që qershori të sjellë  lëvizje të lirë drejtë zonës schengen për kosovarët.

Për opozitën, qershori ka tejet gjasa të vogla të sjellë liberalizim për qytetarët e Kosovës. Madje deklarimet e krerëve shtetërorë për këtë afat i konsiderojnë si mashtrime të radhës për qytetarët.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca iu ka bërë thirrje liderëve që të jenë më të kujdesshëm me premtimet e tyre siç i ka quajtur ai “pa mbulesë” për liberalizimin e vizave.

Sipas tij, kryesimi i Bashkimit Evropian dhe forcimi i partive djathtiste do të krijojë gjasa minimale që në qershor të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka konsideruar si deklarime të gabuara afatet e dhëna për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës drejt zonës schengen.    

Sipas tij, korrupsioni dhe krimi i organizimi po e lënë Kosovën peng në këtë drejtim.

Por krahas kësaj, Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate është shprehu i bindur se ky vit do sjellë liberalizim të vizave, ndonëse thotë se nuk është mirë të jepen data dhe muaj se kur do të ndodhë kjo.

Ndërsa, javë më parë  presidenti i vendit, Hashim Thaçi, por edhe kryeministri, Ramush Haradinaj kanë deklaruar se në qershor të këtij viti mund të ndodhë liberalizimi i vizave për kosovarët. Madje Haradinaj ka thënë se pret që verdikti për këtë çështje të merret edhe më herët.


RAPORTO