Ka përfunduar procesi i numërimit të votave nga ana e KQZ-së, por disa parti politike janë ndarë të pakënaqura me këtë rezultat duke kërkuar edhe njëerë rinumërim të votave.

Së fundmi pakënaqësi ka shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ku ka kërkuar nga PZAP që të bëhet edhe njëherë rinumërimi i votave.

Sipas LDK-së në formularët e KQZ-së ka ndodhur një gabim teknik, prandaj ky subjekt politik përmes një kërkese që tashmë e ka dorëzuar në PZAP, po kërkon rinumërim të votave në shkallë vendi.

Së paku kështu ka deklaruar kandidati për deputet nga LDK-ja dhe anëtari i shtabi zgjedhor nga ky subjekt politik, Florian Dushi për Express.

“Ne kemi kërkuar rinumërim në shkallë vendi. Se gabimi ka ndodhur në shkallë vendi. Pra në të gjithë Kosovën. Fjala është për një gabim teknik por që mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve. Gjatë përshkrimit të rezultateve në formular ka pas lëvizje të renditjeve të partive”, tha Dushi.

Po ashtu ai tha se: “Ne kemi kërkua me u rinumërua votat edhe me u përshkrua në formularët e rijnë”.

Por LDK nuk është e vetmja subjekt politik e cila është ankuar, pakënaqësi e ankesa ka shprehur edhe NISMA në krye me Fatmir Limajn.

E për ankesat e këtyre tri subjekteve politike, ka folur për Express, Mul Desku, kryesues në PZAP.

“Mund të ju konfirmoj se i kemi marrë tri ankesa, pra LDK, PDK dhe NISMA. Ata po thonë që ka pasur parregullsi që i kanë evidentua. Ata kanë dorëzuar ankesa që m’i korrigjua ato parregullsi. Pretendimet e tyre janë se në kolonat ku ata kanë qenë të sigurt që kanë pasur vota i janë deleguar një subjekti tjetër politik”, ka deklaruar Desku.