LDK-ja dhe LVV-ja, afërsi me njëra-tjetrën

LDK-ja dhe LVV-ja, afërsi me njëra-tjetrën
F K

06.08.2019 / Lajme

Partitë politike kanë nisur t’i bëjnë matematikat e tyre sa i përket garës së ardhshme zgjedhore. Disa prej tyre tashmë kanë shfaqur publikisht parapëlqimet për koalicionet e mundshme parazgjedhore.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se kjo parti ende nuk ka vendosur nëse do të bashkëpunojë me ndonjë subjekt para zgjedhjeve, porse ka pohuar se LVV-ja ka afërsi më shumë me LDK-në.

“Në këtë moment nuk mund të flas për një koalicion të mundshëm, sepse duhet një vendim i brendshëm. Ne do të bisedojmë eventualisht me LDK-në. Në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme LVV-ja ka qenë subjekti më i madh në ato lokale ku ka qenë LDK-ja. Ndaj mendojmë se jemi dy subjektet më serioze që në të ardhmen, qoftë para ose pas zgjedhjeve të qeverisim”, ka deklaruar Kollçaku.

Edhe zyrtarët e LDK-së ditëve të fundit kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në, ndonëse asnjëri prej këtyre dy subjekteve nuk ka pohuar se heq dorë nga posti i kryeministrit, shkruan gazeta “Zëri”.

Gjatë bisedës Kollçaku ka përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni të mundshëm me tri partitë kryesore të koalicionit qeverisës, PDK-në, AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate. E pyetur nëse LVV-ja e përjashton PSD-në sa i përket bashkëpunimit, ajo ka thënë se Vetëvendosja nuk e sheh të mundshëm një koalicion të tillë.

“Sikur të kishte qenë vullneti nuk do të vinte deri te ndarja. Ka qenë vullneti i atyre që kanë dalë e jo i atyre që kanë mbetur në LVV. Nuk e shoh të mundshme, së paku për këto zgjedhje. Mendoj që shumë e logjikshme që ata ta kërkonin këtë herë vetë votën dhe ta provojnë fatin”, ka theksuar ajo.

RAPORTO