LDK thekson se Kosova ndodhet pa një Kuvend funksional, pa një qeveri të konsoliduar dhe pa përgjigje për shqetësimet e qytetarëve. Sipas partisë, kjo situatë e vështirë është rezultat i paaftësisë së partisë së parë për të siguruar shumicën parlamentare dhe për të konstituuar institucionet shtetërore.
“Çdo përpjekje për funksionalizim pa një shumicë parlamentare është imponim politik, jo zgjidhje reale,” thuhet në deklaratën e LDK-së.
Partia paralajmëron se zvarritja e kësaj krize aktuale rrezikon seriozisht rendin kushtetues dhe shkakton dëme të drejtpërdrejta për qytetarët e vendit. Si rrjedhojë, LDK ka dalë me propozimin për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me një mandat të qartë dhe të kufizuar kohor, si mënyra më e përshtatshme për të kapërcyer bllokadën aktuale politike.
“LDK mbetet e përkushtuar për të vepruar me përgjegjësi dhe maturi në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje. Ftojmë të gjitha partitë politike që ta mbështesin këtë propozim në interes të vendit,” përfundon deklarata e Lidhjes Demokratike të Kosovës.