LDK e VV nuk lëshojnë pe, asnjëra nuk heq dorë nga posti i kryeminstrit

LDK e VV nuk lëshojnë pe, asnjëra nuk heq dorë nga posti i kryeminstrit
Çlirim Gashi

08.08.2019 / Lajme

Pavarësisht propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje që dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, të garojnë së bashku në zgjedhjet e reja, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se një gjë e tillë është tejet vështirë të ndodhë.

Me këtë rast LDK ka ripërsëritur se postin e kryeministrit nuk e lëshojnë assesi, edhe në rast se rrethanat e imponojnë ndonjë koalicion parazgjedhor, siç mund të jetë ai me LVV-në.

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur gatishmërinë të bëjë koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pavarësisht se ende nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet e reja. Kryetari i LVV-së Albin Kurti është shprehur i bindur se një koalicion i opozitës së vërtetë do ta mundësonte fitoren dhe sigurimin e 70 ulëseve në Kuvendin e Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.

E sikurse LDK-ja që ka bërë të ditur se nuk e sakrifikon postin e kryeministrit edhe në rast se garon me LVV-në në zgjedhjet e reja, njësoj kanë pohuar edhe zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por edhe në rast se do të ketë koalicion mes LDK-së e LVV-së Gaxherri ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e lëshon në asnjë mënyrë postin e kryeministrit. “Në bazë të rezultatit të fundit të zgjedhjeve LDK-ja është e para dhe natyrisht që pa marrë parasysh se me cilin subjekt mund të ketë koalicion parazgjedhor, LDK-ja nuk e lëshon këtë post, sepse është subjekti i parë politik dhe ka obligim që qytetarëve të vendit t’ua japë kryeministrin”, ka potencuar ajo gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Duke u nisur nga fakti që edhe LDK-ja, edhe LVV-ja kanë deklaruar se nuk e lëshojnë pozitën e kryeministrit, Gaxherri ka thënë se arritja e një koalicioni para zgjedhjeve mes këtyre dy subjekteve është mjaft i vështirë. “Koalicioni parazgjedhor është edhe i vështirë, por edhe jo i dëshirueshëm, ju them me bindje”, ka nënvizuar deputetja e LDK-së./ZERI/

RAPORTO