Laureta Tafaj ngrit alarmin në KPF: Buxheti 2026 i Suharekës cenon transparencën dhe sakrifikon projekte jetike për qytetarët

22.01.2026

Në mbledhjen e parë të Komisionit për Politikë dhe Financa, e mbajtur sot, u shqyrtua projekt-vendimi për miratimin e të hyrave dhe të dalurave të Buxhetit të Komunës së Suharekës për vitin 2026. Përfaqësuesja e Lëvizjes VETËVENDOSJE në këtë komision, Laureta Tafaj, ka kundërshtuar ashpër projekt-buxhetin e propozuar.

Sipas Tafajt, buxheti i paraqitur përfaqëson një degradim të qartë financiar dhe është hartuar pa konsultim publik dhe pa arsyetim të mjaftueshëm. Ajo theksoi se përmes këtij buxheti po devijohen dhe po tjetërsohen projekte jetike për qytetarët, përfshirë projektin e rëndësishëm të impiantit të ujërave të zeza në fshatin Sllapuzhan.

Tutje, Tafaj ngriti shqetësimin se në pothuajse të gjitha fshatrat e komunës, e veçanërisht në Bllacë, Budakovë, Duhel, Gjinoc, Greikoc, Grejqevc, Leshan, Nishor, Peqan, Qadrak, Reqan dhe Samadrexh, janë hequr shuma të caktuara buxhetore pa asnjë sqarim konkret se cilat projekte do të largohen nga planifikimi.

Sipas saj, këto projekte tashmë mbesin në “mëshirën” e kryetarit të komunës, pa transparencë dhe pa përgjegjësi institucionale ndaj qytetarëve. Ajo ka bërë thirrje për rishikim të buxhetit dhe për kthimin e transparencës dhe llogaridhënies në planifikimin financiar komunal.