Largimi i policëve serbë nga Policia e Kosovës, reagimi nga Presidenca – Ngjarjet e fundit në vend

05.11.2022

Përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të lënë detyrën. Kjo është vendosur në takimin e thirrur nga Lista Serbe mesditën e së shtunës në Zveçan. Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët […]

Largimi i policëve serbë nga Policia e Kosovës, reagimi nga Presidenca – Ngjarjet e fundit në vend Foto: Ilustrim

Përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të lënë detyrën. Kjo është vendosur në takimin e thirrur nga Lista Serbe mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët serbë, si dhe në gjyqësor, polici. Të gjithë këta do të largohen nga institucionet e Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, raporton kp.

Dy eprorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun kanë zhveshur uniformën, si akt i parë i largimit nga institucionet.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se ata nuk do të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës deri në momentin që kryeministri Albin Kurti të tërheq vendimin për targat dhe të nis formimin e Asociacionit në përputhje me marrëveshjen e parë të nënshkruar në Bruksel.

“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, ka deklaruar Rakiq.

Ndërsa, pas kësaj kanë reaguar nga Presidenca e Kosovës.

Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani theksoi se Serbia po i detyron dhe nxit serbët e Kosovës që të braktisin punën e tyre në institucionet e Kosovës.

“Serbia po i detyron dhe nxit serbët e Kosovës që të braktisin punën e tyre në institucionet e Kosovës. Ky akt i ngjan nxitjes së Rusisë në Donbas në vitin 2014. Ajo gjithashtu tregon se Lista Serbe është ‘gllabëruar ‘ dhe trajtohet si një mjet për të destabilizuar Kosovën nga regjimi i Vuçiqit”, shkruan Vela.