Lansohet masa për punësimin e grave – viktima të dhunës në familje, 70 për qind e pagës subvencionohet nga Qeveria

07.12.2023

Të gjitha gratë që janë të mbijetuara të dhunës në familje do të mund të përfitojnë nga masa e punësimit, ku 70 për qind e pagës së tyre për gjashtë muaj do të subvencionohet nga Qeveria. Deri më tani, shumica e grave të cilat janë viktima të dhunës në familje nuk janë të punësuara dhe […]

Lansohet masa për punësimin e grave – viktima të dhunës në familje, 70 për qind e pagës subvencionohet nga Qeveria Foto: Ilustrim

Të gjitha gratë që janë të mbijetuara të dhunës në familje do të mund të përfitojnë nga masa e punësimit, ku 70 për qind e pagës së tyre për gjashtë muaj do të subvencionohet nga Qeveria.

Deri më tani, shumica e grave të cilat janë viktima të dhunës në familje nuk janë të punësuara dhe përballen me kushte të rënda financiare.

Kështu u tha në lansimin e kësaj mase në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku u tha se do të kujdesen për ruajtjen e konfidencialitetit të secilës grua.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pavarësia ekonomike e grave është një shkallë e rëndësishme drejt zhvillimit dhe lirisë individuale, sikurse edhe sigurisë dhe mirëqenies.

“Nga sot të gjitha gratë të cilat ishin viktima të dhunës në familje do të mund të jenë përfituese të kësaj skeme. Ajo çfarë duhet të bëjnë është të drejtohen në Zyrën e Punësimit në komunën e tyre përkatëse. Pas regjistrimit, këshilltarët e punësimit do të sigurohen se ato ndërmjetësohen në biznese të regjistruara të cilat ofrojnë pozitat të lira të punës.

Pasi që të bëhet ky ndërmjetësim e të fillojnë punën, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të subvencionojë 70 për qind të pagës të të punësuarave për gjashtë muaj me radhë. Duke iu dhënë mundësinë për të punuar dhe një burim të të ardhurave, atyre u jepet një shans i ri për të rimarrë kontrollin e jetës së tyre. Kur gratë janë në gjendje të sigurojnë vetën financiarisht ato kanë më shumë mundësi të largohen nga marrëdhënie e mundshme dhe të fillojnë një jetë të re normale”, deklaroi Kurti.

Shefi i ekzekutivit u zotua se do të punojnë për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se ky lansimi i kësaj mase është aktiviteti më i rëndësishëm në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore. Ajo shtoi se të mbijetuarat e dhunës në familje për shkak të kushteve të rënda financiare detyrohen që të kthehen në vendin e krimit.

“Edhe në bazë të kontakteve tona me të mbijetuarat e dhunës, në kontaktet që i kemi në terren me to por edhe nga informacionet që i kemi marrë nga strehimoret por edhe nga databaza e MD-së, sepse siç e dini Ministria e Drejtësisë e ka databazën ku adresohen rastet e dhunës në familje, shumica e grave të cilat janë të mbijetuara të dhunës në familje janë të pa puna.

Pra, sfida më e madhe e tyre është mungesa e një vendi të punës sikurse edhe e strehimit. Dhe sot lansohet masa për punësimin e të mbijetuarave të dhunës, ndërsa ne urojmë shumë shpejt që Gjykata Kushtetuese të jap vendimin edhe për Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sepse edhe në komunikim me ministrin e Financave kemi theksuar që është e rëndësishme që pasuritë të cilat konfiskohen nga persona të cilët i kanë krijuar në mënyrë të pajustifikueshme të ju jepen kategorive që kanë më së shumti në nevojë dhe që janë edhe të mbijetuara të dhunës në familje”, u shpreh Haxhiu.

Ajo shtoi se në këtë nismë, Ministria e Drejtësisë do të ketë rol kyç në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit dhe strehimoret.

Avancimi i rolit të gruas në shoqëri, siç tha ministri i Financave, Hekuran Murati, janë thelbësore për një shoqëri më të avancuar. Me masën e punësimit të viktimave të dhunës në familje, ai shtoi se do të ruhet konfidencialiteti i grave.

“Ne si Ministri e Financave jemi kujdesur që ta përshtatim me masa që siç u tha, që në të njëjtën kohë edhe i mbështesim këto gra, mirëpo përmes një procesi të mirë dizajnuar, që ka marrë kohë derisa e kemi gjetur atë mënyrën se si ta ruajmë edhe konfidencialitetin, por edhe identitetin e këtyre grave duke e ditur që biznese të caktuara, apo pjesëtar tjerë të shoqërisë nëse e kuptojnë që kemi të bëjmë me një grua e cila është viktimë e dhunës në familje mund të ketë pra edhe më tej raste ku mund të ketë keqtrajtim apo abuzim, apo sjellje ndoshta që nuk do të bëhej në një rast tjetër.

Siç e përmendi edhe kryeministri kemi të bëjmë me një masë e cila subvencionon 70 për qind të pagës për biznesin që punëson një grua që është viktimë e dhunës në familje, deri në masën 300 euro në muaj subvencioni, paga mund të shkojë edhe më lartë dhe për gjashtë muaj e parë ”, përfundoi ai.

Në të ardhmen, ai shtoi se do të punohet që këto gra të jenë në prioritet edhe në trajnime, programe e kurse për rritjen e shkathtësive të tyre.

Ministri Hekuran Murati theksoi se 190 mijë gra janë përfituese direkte të shtesave të fëmijëve. Ai theksoi se në fillim të mandatit të tyre kanë qenë mbi 111 mijë gra të punësuara, ndërkaq sipas tij, aktualisht janë të deklaruara mbi 142 mijë të punësuara.