Lansohet ankandi i parë i energjisë së erës prej 100 MW: Investim për pavarësinë energjetike
Ministria e Ekonomisë e Kosovës ka shpallur ankandin e parë për energjinë e erës me kapacitet prej 100 MW, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm energjetik.
Ky projekt po realizohet me përkrahjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) si këshilltar kryesor i transaksionit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi duke e konsideruar një sukses tjetër për sektorin e energjisë. “Ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejtë në rajon, me rritje të bruto produktit në 6.36%. Kemi dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, ndërsa kjo rritje po reflektohet në konsum më të madh të energjisë nga bizneset,” deklaroi Kurti.
Ai gjithashtu vuri theksin mbi mësimet që janë nxjerrë nga kriza energjetike globale dhe varësia nga importet. “Dy vjet më parë, agresioni i Rusisë në Ukrainë na tregoi se varësia nga energjia e importuar është e rrezikshme jo vetëm për ekonominë, por edhe për sigurinë kombëtare. Prandaj, është e domosdoshme të investojmë në burime të reja të energjisë për të ruajtur pavarësinë tonë energjetike.”
Kryeministri përmendi gjithashtu incidentin në kanalin “Ibër-Lepenc”, duke e cilësuar si një paralajmërim për domosdoshmërinë e fuqizimit energjetik të vendit. “Sulmi ndaj infrastrukturës kritike na tregoi qartë rëndësinë e shumëfishimit të burimeve të energjisë, jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për të mbrojtur pavarësinë e vendit,” shtoi ai.
Nga ana tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nënvizoi ndikimin pozitiv që ky projekt do të ketë për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës. “Pas realizimit të këtij projekti, kostoja e shpenzimit të energjisë do të ulet për qytetarët. Ky është një hap më kompleks pas ankandit të parë solar, por një hap i domosdoshëm për gjenerimin e energjisë së rinovueshme,” tha Rizvanolli.
Ajo përmendi se ky zhvillim e pozicionon Kosovën përkrah vendeve të zhvilluara, qytetarët e të cilave tashmë po përfitojnë nga ulja e kostos së energjisë së erës.