Lajmi i keq për vizat nga Berlini, goditje si për popullin ashtu edhe për liderët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur para gazetarëve të shumtë kosovarë e të huaj, pas përfundimit të Samitit për Ballkanin, në Berlin, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Ai ka thënë se “ka qenë një takim jashtëzakonisht i rëndë” në kryeqendrën gjermane. “Nuk mund të themi se ky takim ka pasur ndonjë rezultat konkret”, ka bërë të ditur Thaçi.

Nga Berlini, Thaçi ka dhënë një lajm të keq për vizat.

“Kosova ka theksuar shumë qartë se i duhet patjetër vendimi për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ai. “Sepse, diçka të tillë Kosova e meriton, qytetarët e Kosovës e meritojnë”, është shprehur presidenti kosovar.

“I kemi implementuar standardet dhe kriteret e nevojshme. Nëse kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt, do të jetë një zhgënjim i madh”, ka thënë Thaçi. “Edhe sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi. Është diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës është vetëm njëri nga premtimet e vjetra. Presidenti i tashëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në kapacitetin e tij si kryetar i atëhershëm i Partisë Demokratike kishte premtuar liberalizim të vizave që nga viti 2010. Ky premtim, mbetet ende në realizim e sipër.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës si dhe njohës të zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se udhëheqësit institucionalë nuk do të duhej të deklaroheshin më për data, për shkak të humbjes së besueshmërisë për çështjen e vizave.

Aferat korruptive, skandalet dhe veprimet e tjera të kundërligjshme janë arsyet kryesore pse qytetarët e Kosovës po ndëshkohen me izolim nga BE-ja, përkundër faktit që  në aspektin teknik kemi plotësuar edhe me shumë kushte se sa vendet e tjera qytetarët e të cilave  veç lëvizin të lirë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.