Lajçak sot viziton presidentin Thaçi dhe përfaqësuesit e partive politike

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të takohet sot me presidentin Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e partive politike.

Lajçak fillimisht do të takohet me presidentin Hashim Thaçi,i cili në kohën kur ishte emëruar Lajçak i deleguar i BE-së për dialogun e kishte cilësuar si “njeriu më jo-kredibil”, për tu marrë me këtë proces.

I dërguari BE-së do të takohet më pas me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai po ashtu do të takohet me Peshkopin e Ipeshkvisë së Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli.

Lajçak do të takohet edhe me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe me përfaqësuesit e minoriteteve jo serbe.

Në prag të vizitës në Kosovë, Lajçak në një intervistë për Telegrafin ka thënë se një marrëveshje brenda muajve e jo viteve do të ishte ideale për dy vendet, por duke marrë në konsideratë se të dy palët do të jenë të gatshme të angazhohen dhe të bëjnë kompromis.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.