Lajçak në Romë flet për dialogun

23.02.2024

Ndërmjetësuesi i BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, po qëndron në Romë të Italisë, nga dhe ka njoftuar që çështja e negociatave Kosovë-Serbi, qe pjesë e diskutimit në disa takime.

Lajçak në Romë flet për dialogun Foto: Ilustrim

Në një shkrim në platformën ‘X’ ai ka njoftuar se është takuar të enjten në Romë me Fabrizio Saggion, këshilltarin e kryeministres Giorgia Meloni, dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme së Italisë, Carlo Lo Cascio.

“Shumë i lumtur që isha në Romë sot. Pata diskutime të rëndësishme me këshilltarin e kryeministres Meloni, Fabrizio Saggio dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të MPJ-së së Italisë, Carlo Lo Cascio, për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun për normalizim të raporteve në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Lajçaku në “X’.

Me zyrtarët italianë, Lajçak thotë se kanë theksuar nevojën urgjente të normalizimit të raporteve mes të dyja vendeve.

”Diskutuam për zhvillimet e fundit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çështjet më të gjera rajonale dhe hapat e tjerë në muajt në vijim”, ka shkruar Lajçak në “Facebook”.

Lajçak po ashtu u shpreh në facebook se në fillim të kësaj jave në Bruksel, mirëpriti Dora Bakoyannis, Raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të PACE, në selinë e BE-së.

”Kemi shkëmbyer përditësime në dosjet tona përkatëse. E informova për gjendjen e lojës në dialogun Beograd-Prishtinë dhe ajo më informoi për punën e saj në muajt e fundit”, shkroi ai.

Emisari shkroi se pjesën më intensive atë të javës së kaluar, e ka pasur Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih.

”Kam marrë pjesë në ngjarje të shumta të fokusuara në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë një panel diskutimi publik për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku theksova nevojën urgjente për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Sipas Miroslav Lajçakut, ky normalizim është thelbësor për stabilitetin e rajonit, zhvillimin ekonomik dhe përparimin drejt Bashkimit Evropian.