Ftesat dhe intervistimet për ish-pjestarët e UÇK-së nuk po ndalen nga Gjykata Speciale në Hagë.

Deri më tani kjo Gjykatë me seli në Hagë, deri më tani ka intervistuar afro 100 persona për krime lufte.

Kujtojmë se Prokoruria Speciale për krime të luftës në Kosovë, ka filluar punën e tyre që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më tash që nuk ka ndërmend të ndalet, ku sipas disa të dhënave nga Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK), kjo prokurori i ka marrur në pyetje rreth 100 persona, ndërsa vlersohet se kjo prokurori është duke vazhduar të punojë me dinamikë të shtuar.

Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se shumica e të intervistuarve deri më tash, gjatë periudhës së luftës kanë qenë civil, ndërsa numri i ish-pjestarëve të UÇK-së që janë intervistuar nga kjo prokurori, të cilët i janë paraqitur kësaj organizate, është më i vogël.

“Ata që na janë lajmëruar neve, deri më tash, janë afër 100 persona që janë ftuar në Gjykatën Speciale, prej të cilëve ka në cilësinë e dëshmitarëve, por ka edhe në cilësinë e të dyshuarve. Deri më tash, neve që na janë lajmëruar, janë 7 persona që kanë qenë pjesë e luftës”, thotë Gucati.

Ai shton se nuk ka të dhëna të sakta lidhur me numrin e personave që janë ftuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarëve dhe të atyre që janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen ndryshe si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, është funksionalizuar në tërësi në korrik të vitit 2017, por vetëm në dhjetor të vitit 2018, Prokuroria e Speciale ka nisur të intervistojë personat e parë të ftuar.

Prokuroria Speciale, nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më tash, ka intervistuar disa nga ish-figurat e larta të UÇK-së, të cilët pas luftës kanë qenë dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, sikurse Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja dhe së fundi edhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj.

Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011.

Në atë raport flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.