Ky është Ligji për Paga, koeficientin më të lartë do ta kenë krerët e institucioneve
- 06.01.2023

Ligji për Pagave është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, kurse pritet që i njëjti të zbatohet nga muaji shkurt i këtij viti.
Paga e Presidentit të Shtetit do të ketë koeficientin më të lartë, me 18.0, për të vijuar më pas me kryetarin/kryetaren e Gjyaktës Kushtetuese, me 17.5.
Koeficienti për kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin do të jetë i njëjtë me 17 duke vazhduar me kategoritë e tjera të zyrtarëve dhe nënpunësve civilë.
Deputeti dhe ministri do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4.
Për mjekët specialistë, koeficienti është 12 ndërsa për mësimdhënësit në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, niveli i koeficientit do të jetë 5.6.
Në nenin 7 të Ligjit për Paga, pika 3, shpjegohet edhe se si do të bëhet llogaritja e pagës në raport me orarin e përcaktuar të punës, konkretisht në raport me orët e realizuara të punës.
“Vlera e pagës bazë (v), për punën e kryer me orarë të plotë, llogaritet duke shumëzuar koeficientin për orë pune (x), me orët e realizuara përgjatë muajit (y), me vlerën monetare të koeficientit (z)”.
Rikujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës me 63 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër e kanë miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik të enjten e 22 dhjetorit.