Kuvendi i Kosovës sot tenton sërish konstituimin, opozita paralajmeron bojkotimin e votimin te komisionit
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të bëjë sot përpjekjen e radhës për t’u konstituuar, pas dështimit të seancës së të mërkurës për shkak të mungesës së kuorumit.
Të mërkurën, përpjekja për zgjedhjen e komisionit për votimin e fshehtë dështoi, duke e detyruar kryesuesin e seancës, Avni Dehari, ta ndërpresë seancën dhe të paralajmërojë se ajo do të vazhdojë sot në orën 10:00.
Kryesuesi Dehari, edhe të mërkurën, u bëri thirrje partive politike të propozojnë anëtarë për komisionin e votimit të fshehtë, duke e konsideruar këtë hap si një procedurë kyçe për vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Megjithatë, partitë opozitare PDK, LDK, AAK-NISMA dhe Lista Serbe nuk propozuan kandidatë për komisionin, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë si në seancat e kaluara, sipas raportimeve të RTKlive.
Pas kësaj, përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim. Kryesuesi Dehari konstatoi se 56 deputetë kanë votuar për, një kundër, ndërsa nuk kishte asnjë abstenim.
Ndërkohë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë për të pritur liderët e partive politike, nëse ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada politike.