Kuvendi dështon për herë të 42-të të konstituohet – ngërçi politik vazhdon pa asnjë ndryshim qëndrimesh
Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet, duke shënuar kështu tentimin e 42-të radhazi pa marrëveshje ndërmjet partive politike.
Gati pesë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, bllokada institucionale vazhdon, ndërsa seancat mbahen çdo 48 orë pa rezultat konkret.
Ngërçi lidhet me mosmarrëveshjet rreth mënyrës së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në një votim të fshehtë dhe të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Në anën tjetër, partitë opozitare vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë qasje, duke mos e pranuar si të pranueshëm propozimin e pozitës.
Edhe në seancën e fundit, kryesuesi i moshës, Avni Dehari, përsëriti kërkesën për formimin e komisionit të votimit të fshehtë, por pa sukses. Seanca përfundoi pa ndonjë vendim dhe është shtyrë për të hënën në ora 11:00, në përpjekjen e radhës për ta zhbllokuar Kuvendin.
Përkundër thirrjeve për reflektim dhe kompromis nga akterë të ndryshëm institucionalë, përfshirë presidenten Osmani, palët politike duket se vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre fillestare, duke zgjatur krizën politike dhe institucionale në vend.