Konstituimi Kurti: Zgjedhja e Konjufcës për kryetar të Kuvendit nuk ishte befasi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti nuk e ka quajtur befasi zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit nga radhët e kësaj partie në seancën e sotme konstituive.

Kurti gjatë një deklarimi për media sonte e ka quajtur një ditë shumë të mirë për vendin, pas konstituimit të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se me këtë u tregua një lloj qytetërimi për dallim nga herët tjera.

“Me siguri që ne jemi të interesuar për bisedime për marrëveshje, por sot është një ditë shumë e mirë për demokracinë, për shtet-ndërtimin në Kosovë, pasi u konstitua Kuvendi i ri, Kuvendi është tempulli i demokracisë dhe ligjvënies, prandaj jam i bindur se me këtë hap kemi treguar një lloj qytetërim demokratik, sepse për dallim nga legjislatura e gjashtë, ne nuk kemi bllokuar konstituim të institucioneve dhe me dashamirësinë dhe interesin e përgjithshëm besoj që do të kalojmë të gjitha pengesat dhe të kemi edhe qeveri të re… Ne jemi në kontakt të rregullt me siguri se do të kemi komunikim”, tha Kurti.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës as pas rreth tre muaj bisedimeve nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, në seancën e sotme konstituive për kryetar të Kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje. Madje, kundër tij nuk votuan as deputetët e LDK-së e që kjo për Kurtin megjithatë nuk ishte e papritur. “Unë nuk e di, por nuk mendoj se ka qenë befasi”, tha Kurti.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.