Kurti: Ushtrisë i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun
- 30.11.2021

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit.
“Të gjitha këto vlera i zotëron gjeneralmajori Bashkim Jashari, nipi i komandantit legjendar, i kryekomandantit Adem Jashari. E, nga sot ai është komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ushtria jonë është e re, por me pjekuri të thellë e histori të lavdishme. Vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtylla jonë e fortë mbi gurthemelin e Republikës”, shkruan Kurti.
Kurti ka uruar Jasharin për punë të mbarë në detyrën e tij të re, ndërsa gjenerallejtënant Rrahman Ramën e falënderoi për kontributin e tij dhe po ashtu i dëshiroi suksese në angazhimin e mëtutjeshëm si përfaqësues në RACVIAC.
Ndryshe, komandanti i deritanishëm i FSK-së Rrahman Rama ka ofruar sot dorëheqjen nga posti i tij. Presidentja Vjosa Osmani ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës.