Kurti: Situata në veri ka përparime, vendosja e rendit po forcohet

04.02.2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendosja e rendit në veri ka përparime të mëdha dhe se ligji atje është duke u forcuar.

Kurti: Situata në veri ka përparime, vendosja e rendit po forcohet Foto: Ilustrim

Kurti ka thënë se situata në veri ka ndryshuar edhe nëpërmjet shpalljes si organizata terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” e “Brigada e Veriut”, derisa ka përkujtuar fushatën kriminale të Serbisë në shkurtin e 2000-shit, ku ishin vrarë disa civilë e ishin shpërngulur mijëra familje shqiptare.

“Tani pas 24 vitesh nga shkurti i vitit 2000, gjendja në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në veri të vendit në përgjithësi, ka ndryshuar shumë falë angazhimit të Qeverisë së Kosovës dhe strukturave shtetërore të sigurisë. Organizatat kriminale ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ janë shpallur organizata terroriste, kurse vendosja e rendit dhe e ligjit në veri ka pasur përparime të mëdha dhe është në rrugë të mbarë për t’u forcuar. Megjithatë, për të vrarët e të torturuarit si dhe për të dëbuarit nga pjesa veriore e Mitrovicës gjatë shkurtit të vitit 2000, duhet të ketë drejtësi”, ka shkruar të dielën Kurti në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Kreu i ekzekutivit ka potencuar se viktimat e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit  të vitit 2000, do të kujtohen me nderime e dhembshuri, duke premtuar se do të angazhohet për drejtësi.

“Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë u vranë: Bashkim Rrukevci, Muharrem Sokoli, Nezir Voca, Shqipe Voca, Remzije Canhasi, Nderim Ajeti, Niman Sejdiu, Sebaha Abrashi, Selime Berisha dhe Nexhmije Xhaka. Viktimat e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, i kujtojmë me nderime dhe dhembshuri, teksa angazhohemi për drejtësi për ta dhe për të dëbuarit si dhe për ligjshmëri, rend dhe kushtetueshmëri të plotë në veri të vendit sikur në çdo pjesë të Kosovës”, ka shtuar tutje ai.