Kurti: S’do të ketë harresë e as amnisti për kriminelët e luftës

27.04.2020

Sot, Kryeministri në detyrë i vendit z. Albin Kurti, bashkë me Kryetaren e Kuvendit znj. Vjosa Osmani, bënë homazhe tek varrezat në Mejë për nderim të ditës së 27 Prillit – përvjetorit të të zhdukurve. Sot, si rrjedhojë e rrethanave të krijuara nga COVID-19, në pamundësi për të qenë me familjet e atyre që humbën […]

Kurti: S’do të ketë harresë e as amnisti për kriminelët e luftës Foto: Ilustrim

Sot, Kryeministri në detyrë i vendit z. Albin Kurti, bashkë me Kryetaren e Kuvendit znj. Vjosa Osmani, bënë homazhe tek varrezat në Mejë për nderim të ditës së 27 Prillit – përvjetorit të të zhdukurve.

Sot, si rrjedhojë e rrethanave të krijuara nga COVID-19, në pamundësi për të qenë me familjet e atyre që humbën më të dashurit, e të atyre që akoma presin të dinë për fatin e tyre, Kryeministri i vendit zgjodhi të jetë afër kujtimit të atyre që nuk janë më mes nesh.

Hapësira të zbrazëta mes varresh, pa pllakë përkujtimore e pa varr, qëndronin mes varreve aktuale, në pritje të 13 të tjerëve të cilët akoma sot mungojnë nga kjo masakër e kobshme.

Sot, 21 vjet pas, përgjegjësit – emrat e të cilëve janë përmendur edhe në Gjykimet e Tribunalit të Hagës – janë akoma të lirë dhe jetojnë pa shqetësime në vende të ndryshme të Ballkanit.

Bëjmë thirrje që me të pasur mundësinë e gjykimit në mungesë, këta persona do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen në mënyrë meritore për krimet që kanë kryer.

Sepse familjarët meritojnë drejtësi, kurse kriminelët gjykim.

Kurti me këtë rast tha se nuk do të ketë as harresë e as amnisti për kriminelët që i kanë kryer këto krime në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Bashkë  me kryetaren e kuvendit Vjosa Osmanin ishim në Meje të Gjakovës që është vendi i masakrës më të madhe së luftës së fundit në Kosovë ku janë vrarë 367 shqiptarë nga policia Serbe dhe policia Jugosllave”.

“Përgjatë procesit të Tribunalit të Hagës janë identifikuar saktësisht 17 kriminel serb për masakrën e Mejes mirëpo asnjëri prej tyre nuk është gjykuar e dënuar”.

“Për shkak të kësaj masakre edhe 27 prilli është Dita Kombëtare e të Pagjeturve dhe ne erdhëm të bëjmë nderim edhe këtu, në përkujtim të të gjithë atyre  të cilët u vranë u varrosën plagët ngelen të hapura ato kullojnë për familjarët por edhe për gjithë shoqërinë tonë dhe nuk duhet të ketë as harresë për të pagjeturit dhe as amnisti për kriminelët”.