Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kryeministrit, Avdullah Hoti, për një takim ku do të diskutohej për dialogun e ardhshëm me Serbinë.
Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, përmes një shkrimi në Facebook.
“Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi pranuar një letër para dy ditësh ku ftohej Kryetari i LVV, Albin Kurti që të diskutojë me qeverinë aktuale për dialogun e ardhshëm me Serbinë. Një qeveri e varur dhe mundësuar nga votat e Listës Serbe dhe e formuar nga Thaçi e për të si dhe një qeveri që ia heq shtetit të Kosovës reciprocitetin me Serbinë nuk ka as kredibilitet as legjitimitet. Prandaj ne nuk i jemi përgjigjur asaj ftese sepse nuk do të jemi pjesë të këtyre takimeve”, ka shkruar Manxhuka.
Kujtojmë se para disa ditësh Qeveria Hoti ka larguar masën e reciprociteti ndaj Serbisë, vendim të cilin Hoti ka thënë se e ka marrë për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë.