Kurti: Qëndroj me krenari dhe besim për këtë katër vjeçar
Kryeministri Albin Kurti, gjatë një seance parlamentare ku diskutohej bilanci i qeverisjes së tij katërvjeçare, u kundërpërgjigj kritikave të opozitës duke theksuar arritjet dhe ndryshimet e bëra gjatë mandatit. Ai deklaroi se e ndjen krenarinë dhe besimin për punën e tij dhe kabinetit qeveritar, duke e cilësuar këtë periudhë si një histori ndryshimi.
“Qëndroj me krenari dhe besim për këtë katërvjeçar. Është një histori ndryshimi që prek jetën e secilit qytetar,” tha Kurti. Ai theksoi rëndësinë e rezultateve të arritura në ekonomi, punësim dhe drejtësi, duke u fokusuar në përmirësimet konkrete dhe sfidat që mbeten.
Kurti nënvizoi një rritje mesatare vjetore prej 6.36% të Bruto Produktit Vendor (BPV) gjatë mandatit të tij, një shifër që, sipas tij, dëshmon për një ekonomi më të fuqishme. Ai tha se papunësia ka pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa mbetet sfidë aktivizimi më i madh i grave në tregun e punës.
12,000 gra janë punësuar indirekt përmes programeve qeveritare. Paga minimale është rritur nga 170 në 350 euro, duke adresuar një problem të mbetur pezull për një dekadë. 14,000 të rinj janë punësuar përmes platformave joqeveritare.
Investimet kapitale gjithashtu kanë qenë më të mëdha se kurrë, me një total prej 561 milionë eurosh.
Në fushën e drejtësisë, Kurti raportoi rezultate të prekshme:
124 grupe kriminale janë shkatërruar. 300 zyrtarë publikë janë arrestuar për veprime të paligjshme. 37 rrugë ilegale janë mbyllur, ndërsa janë ndërtuar 9 stacione të reja policore në veri të vendit.
Numri i inspektimeve është rritur me 82%, një hap që, sipas Kurtit, ka rritur transparencën dhe respektimin e ligjit.
Përballë kritikave për mungesën e njohjeve të reja ndërkombëtare dhe liberalizimin e vizave, Kurti theksoi se këto nuk ishin premtime elektorale.
“As njohjet e reja dhe as liberalizimi i vizave nuk kanë qenë premtim i yni. Ne kemi premtuar punësim dhe drejtësi, dhe këtu duhet të na gjykoni,” tha Kurti.
Megjithatë, ai vuri në dukje anëtarësimin e Kosovës në 10 organizata ndërkombëtare, pavarësisht se kjo nuk ishte pjesë e platformës elektorale.