Në një intervistë për gazetën zvicerane NZZ, Kurti ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po mashtron Perëndimin me pretendimet e tij për paqe, ndërsa në fakt po ndjek një agjendë për të ribashkuar të gjithë serbët në një shtet.

“Aspak, Vuçiq thjesht po mashtron Perëndimin. Elita që dominon vendin nuk ka hequr dorë kurrë nga projekti i Serbisë së Madhe. Thjesht quhet diçka ndryshe tani, domethënë ‘Bota Serbe'”, ka thënë Kurti. Sipas tij, ky projekt përfshin bashkimin e të gjithë serbëve në një vend, çka do të nënkuptonte shpërbërjen e shteteve si Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Kurti ka paralajmëruar se qëllimi përfundimtar i Serbisë është hakmarrja dhe se Kosova duhet të jetë e përgatitur për një skenar të tillë. Kryeministri kosovar ka theksuar se duhet të jemi të kujdesshëm ndaj deklaratave të Vuçiqit, duke marrë si shembull komentet e tij për konfliktin në Nagorno-Karabakh.

“Kjo është pikërisht ajo që Vuçiq dëshiron të bëjë me Kosovën”, ka thënë Kurti. “Ushtron edhe durim strategjik, por synimi mbetet hakmarrja. Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”.