Janë bërë dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, por ende nuk ka marrëveshje për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ka folur rreth propozimit të LDK-së, që kjo e fundit të marrë 6 ministri ndërsa postin e Presidentit dhe 4 ministri VV-ja.

Kurti ka thënë se sa i përket kësaj çështje do të flasin në takimin ndërmjet LDK-së e LVV-së.

Po ashtu ai ka shtuar se ndërkombëtarët nuk po bëjnë trysni, por ata janë duke kërkuar që të bëhet sa më shpejt marrëveshja mes këtyre dy subjekteve politike, raporton EkonomiaOnline

“Nuk kam qenë unë dje në Kosovë mirëpo në të gjitha takimet që i kemi pasur me faktorët ndërkombëtar fjala është që duhet të bëhet marrëveshja dhe kemi vullnet që këto ditë të mbetura ta realizojmë  marrëveshjen. Faktori ndërkombëtar nuk bën asnjë trysni ata thonë veç bëjeni marrëveshjen”.

Kurti tha se marrëveshja është e mundshme, por nuk mund të flet për këtë çështja pasi që nuk ka rezultate konkrete.

“Ne jemi në kontakt sepse ditët po shkojnë, por duhet ta kuptoni që nuk mund të mbajmë seancë para 26 dhjetor, por është Presidenti që e ka caktuar ai ka mundur edhe më herët, por ne i kemi edhe këto ditë që ne ta përmbyllim marrëveshjen tonë dhe është e pamundur mos të kemi takime sepse marrëveshja është e mundshme, por këtë duhet t’ia lëmë bisedimeve dhe nuk mund të jap lajme përderisa nuk kemi rezultate konkret”, tha Kurti.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit për Kuvendin e Republikës së Kosovës, fituese e këtyre zgjedhjeve ka dalur Lëvizja Vetëvendosje duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).