Kurti: Për kontributin në UÇK nuk e kam ndërmend të pranoj kompensimin

09.06.2022

Vazhdon debati për përfshirjen apo jo të kryeministrit Albin Kurti në listën e veteranëve të UÇK-së. Kreu i Qeverisë së fundi gjatë një adresimi për media pas një takimi që kishte në EULEX ka folur hapur për këtë temë. Ai tha se ka punuar në zyrën e Adem Demaçit, në kohën kur ky i fundit […]

Kurti: Për kontributin në UÇK nuk e kam ndërmend të pranoj kompensimin Foto: Ilustrim

Vazhdon debati për përfshirjen apo jo të kryeministrit Albin Kurti në listën e veteranëve të UÇK-së.

Kreu i Qeverisë së fundi gjatë një adresimi për media pas një takimi që kishte në EULEX ka folur hapur për këtë temë.

Ai tha se ka punuar në zyrën e Adem Demaçit, në kohën kur ky i fundit ka qenë  Përfaqësues i Përgjithshëm i UÇK-së, por që deri më tani nuk ka përfituar asnjë kompensim financiarë.

“Unë kam punuar në zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm të UÇK-së, Adem Demaçit, dhe të gjithë ne që kemi punuar aty kolektivisht u patëm regjistruar dhe me këtë rast dua të theksojë që as atë kompensimin si ish i burgosur politik e as këtë për kontributin në luftën çlirimtare nuk e kam marrë e as s’e kam ndërmend t’i marr”, deklaroi Kurti.

Partitë opozitare kanë akuzuar Kurtin se ai nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë veteran i UÇK-së.

Kurti duke folur për temë ne  njëjtë tha se fillimisht duhet pastrim i listave të veteranëve dhe pastaj rritje të pensioneve të tyre.

“Është e domosdoshme që të kemi pikënisje të vërtetën, pastaj të kemi vlerësimin e duhur. Ne kemi trashëguar një gjendje ku janë fryrë padrejtësisht, gabimisht dhe dëmshëm listat me veteranë të luftës çlirimtare. Unë kam respekt të pafund për gjithë veteranët e UÇK-së dhe e kuptoj se edhe ata që janë regjistruar si veteranë, kur iu është ofruar pa qenë të tillë e kanë bërë këtë, ndoshta edhe nga halli, por rrëfimi për luftën çlirimtare nuk guxon të dëmtohet përmes listave të fryra”, tha ai.