Kurti për grevën në arsim: Nxënësit dhe mësimdhënësit duhet të kthehen në shkolla

08.09.2022

Tash e disa ditë anëtarët (mësimdhënësit) e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë hyrë në grevë, si shkak i mosreflektimit nga ana e Qeverisë karshi kërkesave të tyre. SBASHK është duke kërkuar implementimin e Projektligjit për Paga si dhe nga 100 euro shtesë deri në funksionalizimin e këtij Projektligji. Ndonëse, institucionet […]

Kurti për grevën në arsim: Nxënësit dhe mësimdhënësit duhet të kthehen në shkolla Foto: Ilustrim

Tash e disa ditë anëtarët (mësimdhënësit) e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë hyrë në grevë, si shkak i mosreflektimit nga ana e Qeverisë karshi kërkesave të tyre.

SBASHK është duke kërkuar implementimin e Projektligjit për Paga si dhe nga 100 euro shtesë deri në funksionalizimin e këtij Projektligji.

Ndonëse, institucionet shtetërore vazhdimisht po u bëjnë thirrje mësimdhënësve të ndërprejnë grevën e të fillojnë vitin e ri shkollor, pasi që po dëmtohen nxënësit.

Lidhur me grevën është deklaruar sërish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku ka deklaruar se zgjidhja e vetme për daljen nga situata në arsim ku shumica e shkollave janë në grevë është kthimi në shkolla i nxënësve dhe mësimdhënësve.

I pari i Qeverisë shtoi se nuk zhvillohet vendi pa arsimim.

“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit dhe nxënësit në shkolla. Nuk zhvillohet vendi pa arsimim”, tha Kurti.

Gjithashtu, kryeministri Kurti ka theksuar se si asnjë qeveri më parë kanë ndërmarrë masa sociale, e kjo me qëllim që t’u dalin në ndihmë qytetarëve të vendit, këtu përfshirë edhe punonjësit e arsimit.

“Ne kemi ndërmarrë si asnjë qeveri më herët masa sociale për përmirësimin e pozitës së gjithë qytetarëve përfshirë edhe mësimdhënësit. Ministrja Nagavci e ka shpjeguar sesi kemi ndarë mjete edhe për mësimdhënësit që kanë sëmundje të rënda, për mësimdhënësit që të mos e humbin vendin e punës dhe tash së fundi edhe pakon për inflacion.

Kemi ndihmuar edhe sektorin privat, pjesa më e madhe e klasës punëtore janë në sektorin privat”, tha Kurti.

Ai shtoi se si Qeveri bëjnë gjithçka që është e mundur në përputhje me buxhetin e shtetit, ku theksoi se për dallim nga qeveritë e kaluara kësaj here buxheti nuk cenohet nga korrupsioni.