Në një konferencë për media pas takimit, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë hapa përpara dhe ka treguar gatishmëri për kompromis.

“Unë kam ofruar dy opsione kompromisi,” tha Kurti, duke theksuar se pozicioni i Vetëvendosjes ka ndryshuar nga ai para së enjtes.

Në fillim të deklaratës së tij, Kurti falënderoi përfaqësuesit e partive që morën pjesë në takim, pavarësisht mospajtimeve politike.

Ai rikujtoi se, si fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosje ka përgjegjësinë për formimin e Qeverisë, por nënvizoi se procesi i konstituimit të Kuvendit është përgjegjësi kolektive.

“Formimi i Kuvendit nuk është përgjegjësi vetëm e një partie, por e të gjitha partive të përfaqësuara në parlament,” u shpreh Kurti.

Megjithëse nuk dha detaje konkrete mbi opsionet e kompromisit të ofruara, Kurti tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike që janë të interesuara për t’i dhënë fund bllokadës institucionale.