Kurti: Nuk mund të ecet përpara duke injoruar mësimet nga historia, as realitetet aktuale

Demokracia funksionale, përballja me të kaluarën dhe zhvillimi ekonomik dhe drejtësia sociale, u theksuan si të domosdoshme për Ballkanin Perëndimor nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e dytë të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga magazina prestigjioze britanike “The Economist”.

14.10.2021 / Lajme

Kurti: Nuk mund të ecet përpara duke injoruar mësimet nga historia, as realitetet aktuale
Foto: Ilustrim

Në hapje të Samitit, titulluar “Promovimi i gjithëpërfshirjes dhe solidaritetit të Evropës”, kryeministri Kurti theksoi nevojën për demokraci funksionale dhe sundim të ligjit kundër autokracisë dhe korrupsionit. Tendenca në Ballkanin Perëndimor dhe brenda Bashkimit Evropian për shmangie nga vlerat dhe parimet kryesore demokratike, paraqet kërcënimin më të madh për stabilitetin e rajonit tonë, tha ai.

“Për të filluar me të vërtetë pajtimin duhet ballafaquar e kaluara; me të gjithë gjakderdhjen, spastrimin etnik, gjenocidin dhe mizoritë e kryera në vitet ’90, por pa ndjenjën e përgjegjësisë apo pendimit nga agresori. Kjo është e gabuar. Nëse nuk ndjeni asnjë faj dhe asnjë përgjegjësi për atë që ka ndodhur, atëherë do ta përsërisni prapë,” tha kryeministri Kurti.
“Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Evropian u ndërtua mbi themelet e pranimit të përgjegjësisë dhe përballjes me të kaluarën. Ne në Ballkanin Perëndimor duhet të ndjekim të njëjtën rrugë”, shtoi ai.


Gjatë fjalës së tij, kryeministri veçoi zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë sociale për rritje të sigurt dhe të drejtë.
“Për të arritur një zhvillim më të madh ekonomik, ne kemi nevojë për më shumë integrim dhe më shumë lidhshmëri. Është e mundur të integrojmë më plotësisht ekonomitë tona duke realizuar katër liritë, ndërsa njëkohësisht integrohemi në tregun e vetëm të BE-së dhe më pas anëtarësohemi plotësisht në BE,” tha ai.

Në panelin e diskutimit me temë “Ballkani Perëndimor dhe bota pas COVID 19: Cila është rruga për të arritur stabilitet dhe prosperitet”, krahas kryeministrit Kurti, ishin edhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, dhe zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Mirëmëngjesi,

Kam kënaqësinë e madhe të jem sot me ju në këtë forum të shquar së bashku me kolegët e mi, kryeministrin Zoran Zaev, dhe zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq.

Nuk ka dyshim se çështja e stabilitetit dhe prosperitetit është ajo me të cilën ballafaqohet çdo shoqëri sot. Vetëm pak dekada më parë ishte krejt e zakonshme të besosh se ngjarjet që ndodhnin në vendet e largëta nuk ishin problemi ynë, ose kur nuk ballafaqoheshim me urinë dhe varfërinë në një farë mënyre ne vepronim sikur këto të mos ekzistonin. Një këndvështrim i tillë i botës nuk është më i mundur.

Revolucionet në informacion dhe teknologji e kanë afruar botën dhe i kanë zvogëluar barrierat ndaj mundësive dhe prosperitetit, por gjithashtu kanë sjellë lindjen e tensioneve për shkak të shpërfaqjes së pabarazisë së thellë në pjesë të ndryshme të botës. Ashtu sikurse globalizimi, hapja në tregti dhe ekonomi ka nxjerrë miliarda njerëz nga varfëria, por kanë sjellë rreziqe të reja të tilla si ndryshimi i klimës dhe eksploatimi i burimeve tona, gjë e cila tani kërcënon stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë neve.

Pandemia e Covid-19 na e rikujtoi se teksa bota po bëhet më e vogël dhe po lëviz më shpejt, ne jemi edhe më të kërcënuar nga sëmundje të cilat nuk mund të frenohen dhe mbahen brenda kufijve të një vendi ose nga distanca e një oqeani. Kjo është arsyeja pse unë besoj se ne duhet të veprojmë në nivel vendor dhe rajonal, por edhe në bashkërendim me të gjithë të tjerët; e ardhmja jonë është e lidhur dhe varet nga stabiliteti dhe prosperiteti i të gjitha kombeve. Po citoj këtu Martin Luther King-un: “Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë gjithandej”.

Kjo na shpie në rrugën që unë mendoj se ne si vend dhe si rajon duhet të ndjekim. Si një socialdemokrat, unë besoj se rruga përpara është demokracia dhe drejtësia sociale dhe në këtë drejtim do të prezantoja disa pika kyçe të cilat ne mund t’i shtjellojmë më tej në diskutimin tonë.

– E para, ne kemi nevojë për një demokraci funksionale dhe një shtet ligjor kundër autokracisë dhe korrupsionit. Demokraci kundër autokracisë dhe sundim të ligjit kundër korrupsionit. Ne jemi dëshmitarë, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe brenda vetë Bashkimit Evropian, të tendencave të rënda të shmangies nga vlerat dhe parimet kryesore demokratike. Brenda BE-së kjo tendencë nganjëherë etiketohet si demokraci joliberale, ndërsa në Ballkanin Perëndimor si demokraci e paqëndrueshme. Por ajo që këto kanë të përbashkët është sulmi ndaj të drejtave dhe lirive themelore të tilla si liria e fjalës, liria e medias dhe pavarësia e gjyqësorit. Kjo po rezulton në mbylljen e gojës së opozitës, blerjen dhe kontrollin e mediave për përhapjen e propagandës dhe lajmeve të rreme dhe kontrollin e gjyqësorit, në mënyrë të tillë që të mos ketë asnjë mënyrë për të vërtetuar se janë me faj ose të dënohen për shkelje të ligjit dhe të largohen nga detyra. Kjo paraqet kërcënimin më të madh për stabilitetin e rajonit tonë.

– Elementi tjetër është përballja me të kaluarën. Për të filluar me të vërtetë pajtimin duhet ballafaquar e kaluara; me të gjithë gjakderdhjen, spastrimin etnik, gjenocidin dhe mizoritë e kryera në vitet ’90, por pa ndjenjën e përgjegjësisë apo pendimit nga agresori. Kjo është e gabuar. Nëse nuk ndjeni asnjë faj dhe asnjë përgjegjësi për atë që ka ndodhur, atëherë do ta përsërisni prapë. Arsyeja pse ne themi “kurrë mos harro” është që t’ua përkujtojmë brezave të tanishëm dhe të ardhshëm atë që ka ndodhur, por nëse nuk merret asnjë përgjegjësi, atëherë kjo frazë nuk ka asnjë kuptim. Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Evropian u ndërtua mbi themelet e pranimit të përgjegjësisë dhe përballjes me të kaluarën. Ne në Ballkanin Perëndimor duhet të ndjekim të njëjtën rrugë.

– Pika e fundit është zhvillimi ekonomik dhe drejtësia sociale. Një lloj rritjeje e sigurt dhe e drejtë. Qytetarët në të gjitha vendet tona duan paqe dhe prosperitet. Ne duhet të punojmë dhe të veprojmë ashtu që përfituesit e parë të jenë qytetarët e jo politikanët. Ne duhet t’u shërbejmë qytetarëve, e jo t’ia ruajmë lëkurën këtij politikani apo fytyrën atij politikani. Për të arritur një zhvillim më të madh ekonomik, ne kemi nevojë për më shumë integrim dhe më shumë lidhshmëri. Është e mundur të integrojmë më plotësisht ekonomitë tona duke realizuar katër liritë, ndërsa njëkohësisht integrohemi në tregun e vetëm të BE-së dhe më pas anëtarësohemi plotësisht në BE. Por, si një socialdemokrat, unë besoj në një ekonomi më të drejtë me kushte të barabarta, si për burrat ashtu dhe për gratë, që të kenë sukses dhe të tilla që të gjithë të japin kontributin e tyre që u përket.

Si përfundim, unë mendoj se ne nuk duhet t’i ndajmë çështjet nga njëra-tjetra, por t’i shohim ato të ndërlidhura dhe të ndërthurura. Nuk është e mundur të ecësh përpara duke injoruar mësimet nga historia, as duke injoruar realitetet aktuale. Në vend të kësaj, ne duhet të veprojmë së bashku, të pranojmë njëri-tjetrin dhe të angazhohemi me njëri-tjetrin për të përballuar sfidat e kohës sonë.

KOMENTE0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *