Kurti: Nuk i shmangim bisedimet me Serbinë – por së pari drejtësi e punësim

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se nuk i nënçmon bisedimet me Serbinë por nuk mund t’i shndërrojë ato në përparësi të punës së qeverisë së ardhshme.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Kurti renditi ndër synimet e para projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia.

Kurti ka thënë që së pari do të duhet që të krijojnë një kabinet të vogël qeveritar, të vazhdojnë punët e mira që i kanë filluar në pranverën e vitit 2020 dhe shumë të tjera të cilat janë edhe më të mira.

“Duhet të fillojmë me projektligjin për mërgatën tonë që duhet të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullata, gjithashtu duhet të fillojmë edhe me projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia, duhet t’i kthejmë terminalet doganore që u janë dhënë kompanive private në shtet, e gjithashtu janë një mori vendimesh të qeverisë e cila doli të ketë qenë edhe jo kushtetuese, përveç se jo legjitime, e të cilat duhet t’i anulojmë. Por në përgjithësi, prioritetet tona janë drejtësia dhe punësimi, me ç’rast kurrë nuk duhet të harrojmë pandeminë COVID-19 e cila nuk ka shkuar” ka thënë Kurti.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti ka folur edhe për dialogun me Serbinë, të cilin ka thënë se qeveria e tij nuk do ta nënçmojë, por që konsiderojnë se për qytetarër e Republikës së Kosovës e kanë zgjedhur për të sjellur drejtësi dhe punësim.

“Ne nuk duam ta evitojmë dialogun e ta nënçmojmë rëndësinë e tij, mirëpo konsiderojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë zgjedhur për të sjellur drejtësi dhe punësim dhe natyrisht që është urgjente të merremi me pandeminë COVID-19. Në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se çfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë, është zakonisht në vendin e gjashtë apo shtatë, unë do të mund ta bëjë le të themi një koncesion dhe ta sjellë atë në vendin e katërt pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund ta sjellë në top dy prioritetet. Pra, nuk dua ta nënçmoj por edhe nuk mund të them që do të jetë në top dy prioritetet sepse po dalim nga një fitore gjigante e lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën qytetarët na votuan për atë që u duhet atyre më së shumti. Kur kemi parasysh që zgjedhjet u mbajtën me 14 shkurt, pra në vigjilje të 13 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne jemi të bindur që këto janë ditët kur duhet të flasim shumë më tepër për pavarësinë sesa për Serbinë” ka shtuar Kurti.

RAPORTO