Kurti njofton për rritjen e pagës minimale – 425 euro nga muaji i ardhshëm, 500 euro nga korriku
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se paga minimale në vend do të rritet nga muaji i ardhshëm, duke shkuar 425 euro bruto, nga 350 euro sa është aktualisht.
Foto: Ilustrim
Kurti ka bërë të ditur se nga 1 korriku 2026 do të nisë zbatimi i fazës së dytë të rritjes, ku paga minimale do të arrijë 500 euro, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë direkt nga kjo rritje e pagës minimale, duke përmirësuar standardin e jetesës për një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore në vend.
“Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë se një dekadë, dhe brenda këtij mandati po e rrisim për të tretën herë,” ka thënë Kurti, duke nënvizuar përkushtimin e Qeverisë për të përmirësuar kushtet e punës dhe standardin jetësor të qytetarëve.
Kjo rritje e pagës minimale pritet të ketë ndikim të madh në fuqinë blerëse dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, sidomos për ata që punojnë në sektorin privat.