Kurti: Në tri vjet qeverisje janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore

08.07.2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se buxheti vjetor sivjet për kujdesin dhe investimet në trashëgiminë kulturore është më i larti ndonjëherë, sipas tij trefish më i lartë sesa në vitin 2021.

Kurti: Në tri vjet qeverisje janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore Foto: Ilustrim

Kurti ka theksuar se gjatë qeverisjes së tij janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore.

“Në tri vjet qeverisje, janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore – më shumë se në dy dekadat pararendëse bashkë. E puna po vazhdon. Përditë”, thotë ai.

Tutje, ai ka njoftuar se në pjesën e parë të këtij viti, kanë përfunduar restaurimet në: Kullën e familjes Tafolli në Çadrak të Suharekës, Shkollën historike shqipe “Ismail Qemali” në Ferizaj,Mullirin e fshatit Majac të Podujevës i ndërtuar në shek. XIX, Mullirin e Cal Malushit në fshatin Kotradiq të Pejës, ndërtesën e shkollës së parë shqipe në Pejë.

Po ashtu, thotë se kanë restauruar edhe Muzeun e Hidroelektranës në Prizren, Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren – faza e parë,  Kullën e Gjyle Kadrisë në fshatin Rastavicë, Deçan, e ndërtuar në shek. XIX, Shtëpinë Kullë të Vesel Godenit në Viti, Kullën e Zeqë Ramë Sadrisë në Brovinë në Gjakovë.

Kurti tutje shton se punimet po vazhdojnë e janë drejt përfundimit në: Shtëpinë e Hynilerëve në Prishtinë; Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova; Shtëpitë tradicionale të Janjevës; Shtëpinë e familjes Kryeziu në Gjakovë, e cila karakterizohet me arkitekturë tradicionale të fundit të shek. XVIII; Shtëpinë e Adem Aga Gjonit në Prizren, e karakterizuar nga arkitektura tradicionale e shek. XVIII.

Punimet po vazhdojnë edhe në: Shtëpitë tradicionale të familjes Hajdini, në lagjen e quajtur Terziaj në Gjilan; Shtëpinë e familjes Safqi në Prishtinë, e ndërtuar rreth vitit 1800; Shtëpinë tradicionale të familjes Sylejmani brenda qendrës historike në Prishtinë, e ndërtuar në vitin 1880; Shtëpinë e familjes Kirajtani, një prej shtëpive më të veçanta të Prizrenit; Shtëpinë e familjes Munik në Prizren; Qendrën Kulturore Hebraike në Qendrën Historike të Prizrenit; Shtëpitë tradicionale në rrugën Marin Barleti në Prizren; Kishën Katolike në Ferizaj; Xhaminë në Turbohovc të Istogut; Kullën e Tal Belit në Krelan të Gjakovës dhe Postën e Vjetër në Mitrovicë.