Kurti në 25-vjetorin e Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë: “Politika duhet të udhëhiqet nga vlerat, jo nga frika”
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmjen e sotme në manifestimin e organizuar për të shënuar 25-vjetorin e pranisë së Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Kosovë dhe 100-vjetorin e themelimit të saj në nivel global.
Foto: Ilustrim
Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e partneritetit mes Kosovës dhe FES, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta si demokracia, drejtësia sociale, solidariteti dhe paqja. Ai shprehu mirënjohje për rolin që FES ka luajtur në përkrahjen e reformave progresive, përfshirë mbështetjen në draftimin e ligjit për Fondin Sovran, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe institucionet kosovare.
Kryeministri falënderoi drejtorin aktual të FES në Kosovë, Peter Hurrelbrink, për kontributin e tij në forcimin e kulturës demokratike dhe fuqizimin e zërave të rinj, duke i uruar mirëseardhje në detyrë drejtoreshës së re, Katharina Hofmann, në një kohë kur – siç tha ai – “Kosova është më e përkushtuar se kurrë për të thelluar demokracinë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të ankoruar të ardhmen tonë në familjen evropiane.”
Në mbyllje të fjalës së tij, Kurti vlerësoi 25 vitet e partneritetit me FES si një histori të ndërtuar mbi besim të ndërsjellë dhe vlera të qëndrueshme në shërbim të një shoqërie më të drejtë dhe më të begatë.
“Si socialdemokrat, besoj fuqimisht se politika duhet të udhëhiqet nga vlerat – jo nga frika apo nga oportunizmi, por nga një angazhim i thellë për drejtësi, pjesëmarrje dhe dinjitet njerëzor. Këto parime nuk janë vetëm themelore për Kosovën – ato janë gurthemeli i bashkëpunimit tonë me Friedrich-Ebert-Stiftung”, përfundoi Kurti.