Kurti mirëpret delegacionin nga Iowa: Bashkëpunimi Kosovë–Iowa, shembull i partneritetit afatgjatë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në ndërtesën e Qeverisë një delegacion nga shteti amerikan i Iowa-s, të përbërë nga akademikë, ndërmarrës dhe ushtarakë.
Delegacioni u udhëhoq nga Gjeneralmajori në pension Timothy Orr dhe Kryetarja e qytetit Johnston, Paula Dierenfeld.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti u shpreh i lumtur për bashkëpunimin e ngushtë dhe të qëndrueshëm mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, duke e cilësuar këtë partneritet si të pranishëm që nga ditët e para pas çlirimit. Ai shprehu mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet amerikan i ka dhënë vendit tonë në fusha të ndryshme.
“Bashkëpunimi me Iowa-n ka qenë i jashtëzakonshëm, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, diplomacisë dhe zhvillimit,” tha Kurti, duke theksuar rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit dhe të parimeve të ekonomisë së tregut të lirë.
Kryeministri shprehu një mirënjohje të veçantë për gjeneralin Orr, duke theksuar rolin e tij në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve përmes programit “E gjithë Iowa për të gjithë Kosovën”, i cili zhvillohet në kuadër të Bashkëpunimit Civil. Sipas Kurtit, ky program është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ushtarako-civil që ndihmon në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe në përparimin ekonomik të Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të reja si mbrojtja, arsimi dhe qeverisja lokale.
Nga ana e tyre, Gjeneralmajori Orr dhe kryetarja Dierenfeld falënderuan kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për mikpritjen dhe partneritetin e deritanishëm.
Në takim morën pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.
Ky takim dëshmon edhe një herë rëndësinë e marrëdhënieve të forta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke veçuar Iowa-n si një partner të besueshëm dhe të përkushtuar në ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.