Kurti, i cili është në pushtet që nga viti 2021, kujtoi se dy vjet pas marrjes së mandatit u arrit Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, si dhe Aneksi i zbatimit të saj, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas tij, kjo marrëveshje ende nuk është zbatuar, raporton Evropa e Lirë.

“Ne duhet t’i normalizojmë raportet me Serbinë”, tha Kurti, duke shtuar se “normalizimi i raporteve me një fqinj që ka regjim autoritar, që nuk të njeh si shtet dhe nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është shumë i vështirë”.

Ai theksoi se tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të larta dhe paralajmëroi se një rikthim i trazirave do t’i ofronte Rusisë mundësi për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

Duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2023, Kurti tha se ajo duhet të zbatohet plotësisht, çka sipas tij nënkupton njohje të ndërsjellë mes dy shteteve, ose të paktën njohje de facto. Marrëveshja me 11 nene parasheh, ndër të tjera, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohjen e ndërsjellë të simboleve shtetërore, mosbllokimin nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme të dialogut.

Megjithatë, për rinisjen e dialogut në nivel të lartë, Kurti theksoi se Serbia duhet ta dorëzojë Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në vitin 2023. Ai shprehu shpresën se Bashkimi Evropian, Franca dhe Gjermania do të rrisin presionin ndaj Beogradit për dorëzimin e Radoiçiqit, ndaj të cilit Kosova ka ngritur aktakuzë.

Që nga shtatori i vitit 2023, pak para sulmit në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i dialogut në nivel të lartë në Bruksel, ndërsa takimet në nivel të kryenegociatorëve kanë vazhduar pa prodhuar rezultate konkrete.

Kurti po ashtu foli për raportet e Serbisë me Rusinë, duke theksuar se Beogradi nuk i ka ndërprerë lidhjet me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë, dhe se varet nga energjia ruse. Sipas tij, këto lidhje paraqesin shqetësim për Kosovën, pasi Rusia mund të llogarisë në Serbinë si aleat në përpjekjet për destabilizim të rajonit.

“Ka shumë lidhje mes dy shteteve dhe nëse Rusia vendos ta destabilizojë rajonin në marshimin e saj drejt Evropës Perëndimore, mund të llogarisë në Serbinë si aleat. Ne po punojmë me partnerët tanë për të parandaluar një gjë të tillë”, tha Kurti.

Në fund, ai foli edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përmendur heqjen e tarifave për produktet amerikane dhe pajtimin e Kosovës për të pranuar deri në 50 migrantë nga shtetet e treta që do të dëbohen nga SHBA-ja. Sipas tij, deri më tani ka arritur vetëm një migrant.

“Nuk po kërkojmë asnjë ndihmë financiare në këmbim. Ne po e bëjmë këtë për të ndihmuar SHBA-në, që është partnerja, aleatja dhe mikja jonë”, u shpreh Kurti, duke mos e përjashtuar mundësinë e marrëveshjeve të ngjashme edhe me vendet evropiane.