Dje kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit.

“Në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, një opinion nga Komisioni i Venedikut do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese. Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet anëtare në Komision” thuhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit, njofton Klan Kosova.

Komisioni i Venedikut është një trup këshillues i Këshillit të Evropës (KiE) dhe përbëhet nga ekspertë të pavarur të sferës së të drejtës kushtetuese. Është themeluar në vitin 1990 pas rënies së Murit të Berlinit, në një kohë të nevojave të menjëhershme për ndihmë kushtetuese në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Zyrtarisht njihet si Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit, por për shkak të vendit të takimit, Venedik, Itali, ku sesionet mbahet për katër herë në vit, i referohen si Komisioni i Venedikut.

Roli i Komisionit është që të ofrojë këshilla ligjore për shtetet anëtare, posaçërisht për të ndihmuar shtetet që dëshirojnë që t’i përshtatin strukturat e tyre legale dhe institucionale në një linjë me standardet evropiane. Gjithashtu Komisioni ofron përvojë ndërkombëtare në sferën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Komisioni ka 62 anëtarë, 47 janë anëtarë të Këshillit të Evropës, kurse 15 të tjerët janë Algjeria, Brazili, Kanada, Kili, Kosta Rika, Izraeli, Kazakistani, Korea, Kosova, Kirgistani, Maroku, Meksika, Peru, Tunisi dhe SHBA-të.

Anëtarët individual janë profesorë universitar të së drejtës publike dhe ndërkombëtare, gjykatës kushtetues dhe të gjykatave të larta, anëtarë të kuvendeve kombëtare dhe një pjesë janë shërbyes civil.

Këshilli punon posaçërisht në tre sferat:

-Institucione demokratike dhe të drejtat fundamentale,
-Drejtësi kushtetuese dhe drejtësi e zakonshme,
-Zgjedhje, referendume dhe partitë politike.

Ky komision ka Sekretariatin e Përhershëm në Strasburg, Francë, te kryeqendra e Këshillit të Evropës. Sesionet plenare mbahen në Venedik, Itali, katër herë në vit (mars, qershor, tetor dhe dhjetor).

Nga vendet pjesëmarrëse, 5 janë mbikëqyrjëse, si edhe një vend anëtar i asociuar. BE-ja dhe OSBE-ja marrin pjesë në punët e këtij komisioni. Deri tani, Komisioni i Venedikut ka ofruar mbi 500 mendime për më shumë se 50 shtete dhe 80 studime, ka organizuar 250 seminare dhe konferenca me dhjetëra gjykata dhe universitete, ka mbi 3000 shërbyes civil të trajnuar për të drejtat e njeriut, të drejtën administrative. Në më shumë se 90 raste, edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka marrë në konsideratë mendimet e Komisionit të Venedikut.