Lajme

Kurti i do tri pozitat kryesore, LDK-ja s’lejon që Kosova të rrëshqasë në autokraci

Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Dje Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i kishte bërë ofertën e fundit Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për një marrëveshje për bashkëqeverisje, por sipas deklaratave të djeshme të disa zyrtarëve të LVV-së në emisione televizive siç duket kjo e fundit e ka refuzuar këtë ofertë.

Arban Abrashi i cili është Sekretar Organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se marrëveshje për koalicion nuk është arritur pasi që Lëvizja Vetëvendosje kanë hezituar në kërkesën e LDK-së për postin e presidentit.

Sipas Abrashit, kryetari i LVV-së njëherish edhe pretendenti kryesor për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti i dëshiron tri pozitat qendrore për partinë e tij dhe ka shtuar se një gjë e tillë për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) është e papranueshme.

Teksa ka folur për synimin e VV-së për t’i marrë tri pozitat kyçe, kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin, Abrashi ka përmendur edhe rrezikun e rrëshqitjes drejt autokracisë dhe ka shtuar se LDK nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

“Nëse një parti i merr këto tri poste, nuk është mirë për atë demokraci, sepse kompetencat e presidentit në koordinim me kryeministrin janë shumë të mëdha. Prandaj rrëshqasim drejt autokracisë, dhe LDK këtë nuk e len. Duhet me e kontrollu demokracinë në vend, që një parti mos me i marrë krejt këto. Këtë e kemi bërë për shtetin, jo për LDK-në. Nuk e di a ka prirje (autoritare), Nuk po dojm as me e testu e as me e bo prova me vendin tonë”, ka thënë Abrashi në T7.

Ai tutje ka thënë se ajo se çfarë po kërkon LDK-ja është një marrëveshje fer dhe e balancuar që garanton funksionimin e shtetit.

“Ne po e lypim një fer marrëveshje që garanton funksionim të mirë të shtetit. Janë tri pozita qendrore, presidenti, kryeparlamentari, kryeministri. Ne kemi prit me pas një koalicion fer, që garanton balanc pushtetesh. Ajo çka kanë ofru këta deri tash është kryeministri VV-së, kryeparlamentari VV-së edhe presidenti me kalu neper organe të VV-së. Është e padrejtë me kërku marrëveshje fer, e me i marë tri postet kryesore. Për ne kjo është e papranueshme, dhe po insistojmë në ofertën e bërë publike”, ka shtuar tutje deputeti i LDK’së.

“S’mujm me bo marrëveshje ku VV-ja është shef edhe në qeveri edhe në parlament edhe në presidenc. Nuk është mirë për demokracinë në vend. E për me e rujt Kosovën ne kemi kërku me u balancu demokracia e me pas kontroll ndaj njëri tjetrit”, ka potencuar Abrashi.