Kurti i dha 1 muaj, Rohde kërkon që periudha e tranzicionit për vendimin e BQK-së të zgjatet në 4 muaj

09.02.2024

Një ditë pas seancës në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, ka reaguar ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili ka thënë se Kosova duhet ta zgjasë periudhën e tranzicionit për katër muaj.

Kurti i dha 1 muaj, Rohde kërkon që periudha e tranzicionit për vendimin e BQK-së të zgjatet në 4 muaj Foto: Ilustrim

Rohde, i cili është deklaruar që disa herë për mënyrën e implementimit, tha se Kosova ka treguar se di se si të komunikojë në mënyrën e duhur, prandaj kjo është ajo çfarë duhet tani.

“Kolegu im nga Bashkim Evropian Tomas Szunyog e thotë qartë pse na duhet një periudhë mjaft e gjatë tranzicioni dhe informimi për rregulloren e BQK-së. Me fushatën e saj 4 mujore përpara liberalizimit të vizave, qeveria e Kosovës ka treguar se di të komunikojë siç duhet. Ne kemi nevojë për atë përsëri tani!”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Qeveria e Kosovës si përgjigje për presionin ndërkombëtar ka pranuar të lëshojë pak pe, duke mundësuar 1 muaj periudhë tranzicioni, ku qytetarët më shumë do të informohen dhe s’do të ketë ndëshkime.

Ndryshe, Kosova u kritikua mbrëmë në OKB për zbatimin e rregullores së BQK-së dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje.