Kurti: Hapja e arkivave ndihmon në zbardhjen e fatit të të pagjeturve

30.08.2021

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar hapjen e arkivave të shtetit serb me qëllim të zbardhjes fatit të personave të zhdukur. “Në raportet tona me Serbinë çështja e të zhdukurve me dhunë është kryefjalë dhe ne nuk mund të pretendojmë që të kemi as të ardhme të qëndrueshme e të sigurte nëse nuk adresojmë çështjet e […]

Kurti: Hapja e arkivave ndihmon në zbardhjen e fatit të të pagjeturve Foto: Ilustrim

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar hapjen e arkivave të shtetit serb me qëllim të zbardhjes fatit të personave të zhdukur.

“Në raportet tona me Serbinë çështja e të zhdukurve me dhunë është kryefjalë dhe ne nuk mund të pretendojmë që të kemi as të ardhme të qëndrueshme e të sigurte nëse nuk adresojmë çështjet e së kaluarës, nëse nuk e trajtojmë dhe nuk e sqarojmë të kaluarën. Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën dhe unë bej thirrje që në të gjitha tryezat e ndryshme që organizohen në arenën ndërkombëtare nga Serbia pikësëpari të kërkohet hapja e arkivave.

Meqenëse vrasja e shqiptarëve në pranverën e vitit ’99 por edhe më herët, në vitin ’98 e kështu me radhë, pastaj varrosja e tyre, zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e kufomave nëpër varreza masive në Serbi dhe zhvarrimi prej atje mandej gjithçka është bërë jo nga qytetarët e thjeshtë e të zakonshëm, por nga aparati shtetëror, andaj hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigjja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, u shpreh Kurti.

Para vendosjes së kurora me lule të lapidari i personave të zhdukur, Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare te të Zhdukurve të Kosovës në koordinim me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, marshuan në sheshin kryesor të Prishtinës duke u nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Kuvendi i Kosovës.

Po ashtu, gjatë ditës është paralajmëruar edhe një vizitë dhe homazhe në lokacionin e pranimit të mbetjeve mortore gjatë procesit të riatdhesimit afër pikë kalimit kufitar në Merdare.