Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, do të kenë takime individuale me liderë të caktuar të BE-së

26.10.2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ftuar në Bruksel sot për takime me liderët e Bashkimit Evropian. Korrespondentja e RTK-së nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina, tha se dita e takimit do të determinojë jo vetëm fatin e dialogut, por edhe fatin e raporteve të njërit shtet, apo të tjetrit me […]

Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, do të kenë takime individuale me liderë të caktuar të BE-së Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ftuar në Bruksel sot për takime me liderët e Bashkimit Evropian.

Korrespondentja e RTK-së nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina, tha se dita e takimit do të determinojë jo vetëm fatin e dialogut, por edhe fatin e raporteve të njërit shtet, apo të tjetrit me këto shtete kyçe evropiane.

Ndryshe sipas qeverisë, agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kurtit, por ai është shprehur i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtjesore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes.

“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtjesore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes” ka bërë të qeveria”, kanë thënë ata.

Ditë më parë, pa dhënë hollësi, Bashkimi Evropian konfirmoi se ka bërë një propozim modern evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe se pret nga palët që për të dhe për çështjet tjera të veprohet shpejt.

Dje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se sot në Bruksel nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Stano ka thënë se të enjten në Bruksel do të jenë Kurti e Vuçiq, por do të kenë takime individuale me liderë të caktuar të BE-së.

Stano ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, do të njoftojë në Këshill Evropian liderët për situatën në dialogun Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se kjo është çështje shumë me rëndësi për BE-në.

Ai ka thënë se BE-ja pret nga Kosova e Serbia që menjëherë e pa kushte të plotësojnë detyrimet që burojnë nga dialogu. Që të vazhdojnë punën e deeskalimit dhe po ashtu urgjentisht e pa kushte të rifillojnë e të riangazhohen në dialog.

Në takimet e sotem pritet të diskutohet plani i ri i BE-së, përfshirë draftin “modern” të Asociacionit. Qeveria e Kosovës ka thënë se e kanë pranuar “planin e ri” bashkë me draftin për Asociacion si bazë për diskutime të mëtejshme.