“Kurti e Thaçi janë takuar dy herë, kanë biseduar gjatë”, VV i kundërpërgjigjet deklaratës së Baton Haxhiut

Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe lideri i Vetëvendosjes i cili është kandidat për kryeministër të vendit, Albin Kurti, kanë zhvilluar edhe dy takime larg kamerave.

Thaçi e Kurti po thuhet se janë takuar edhe dy herë të tjera gjatë kësaj faze derisa VV e LDK po bisedonin për arritjen e marrëveshjes së koalicionit për formimin e qeverisë së re.

Këtë po e thotë publicisti i njohur dhe drejtori i Klan Kosova, Baton Haxhiu, duke thënë se takimi mes tyre ka qenë sekret dhe ka zgjatur shumë pasi kanë biseduar gjatë.

Haxhiu po thotë se këto dy takime janë mbajtur larg kamerave dhe asnjëri prej liderëve nuk e ka bërë publike duke e mbajtur të fshehur për mediet.

“Janë takuar edhe dy herë të tjera, pas kamerave gjatë, janë taku gjatë, janë takuar dy herë gjatë gjatë kësaj kohe, zoti Albin Kurti dhe zoti Hashim Thaçi, janë takuar gjatë unë nuk e di përmbajtjen se çfarë kanë folur, janë treguar korrekt dhe nuk e kanë bërë publike këtë”, tha Haxhiu në Info Magazinë.

Ndërsa kjo deklaratë e Baton Haxhiut, ka bërë që të aktivizoj gjithë anëtarët e VV-së për një kundërpërgjigje ndaj tij.

Një të tillë ka bërë së fundmi herë edhe zyrtari i VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi, i cili ka reaguar ndaj deklaratave të Haxhiut i cili tha se lideri i VV-së, Albin Kurti dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kanë pasur më shumë takime se sa ato që kishin qenë zyrtare.

LEXO EDHE:  Kosova në prag të shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme

Rrustemi ka shkruar se sa më shumë që Haxhiu shpif kundër Kurtit dhe VV-së, me këtë dëshmohet edhe më shumë se VV është në rrugë të duhur.

“Sa më shumë që Baton Haxhiu shpifë kundër Albinit e Lëvizjes, aq më shumë dëshmohet se jemi në rrugën e duhur!”, ka shkruar Rrustemi.

Deklaratave të Haxhiut iu përgjigj edhe deputeti i VV-së, Liburn Aliu, i cili tha se pretendimet e Haxhiut janë të pavërteta dhe me këtë po tregohet niveli në të cilën ka rënë Haxhiu, madje edhe si spiun.

“E ka humbë Batoni udhën në oborr. Traumë të pashërueshme i ka shkaktu Albini. Rrena e tij e fundit në lidhje me gjoja takimin e Albinit me Hashimin, tregon se në çfarë niveli ka devalvu ky, madje edhe si spiun. Për këtë rrenë të lodhtë, Stanishiqi shkelma prej zyrës e kish qitë. – Marsh bitango”, ka shkruar Aliu.