Kurti e Spajiq biseduan rreth raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve

16.05.2024

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Kotor pati një takim bilateral me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq.

Kurti e Spajiq biseduan rreth raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve Foto: Foto: Zyra e kryeministrit

Zyra e kryeministrit njofton se Kurti fillimisht, ka falënderuar homologun e tij për mikpritjen e mbrëmshme në darkën e liderëve dhe për organizimin e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes së BE-së.

Sipas komunikatës nga ekzekutivi në takimin e tyre të parë dypalësh, kryeministri Kurti dhe kryeministri Spajiq biseduan rreth raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për bashkëpunimin rajonal dhe atë në rrugën e përbashkët të integrimit evropian, si dhe për mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të përvojave në fusha të ndryshme. Ata gjithashtu diskutuan edhe për projektet infrastrukturore që lidhin dy vendet, duke theksuar rëndësinë e tyre për qytetarët në të dy anët e kufirit.

Kurti qëndroi sot në Kotor të Malit të Zi, ku nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët” u mbajt takimi i tretë i radhës ndërmjet liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar rreth Planit të Rritjes me Bashkimin Evropian dhe prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe organizatat partnere të rajonit.