Kurti: E shpërndajmë Kuvendin e shkojmë në zgjedhje, por s’ka pse të rrëzohet Qeveria

22.03.2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka numëruar sukseset dhe sfidat në tre vjetorin e qeverisjes së tij.

Kurti: E shpërndajmë Kuvendin e shkojmë në zgjedhje, por s’ka pse të rrëzohet Qeveria Foto: Ilustrim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për deklaratën e tij se është i gatshëm që vendi të shkojë në zgjedhje.

Kurti tha se ai vetëm është përgjigjur në pyetjen e gazetares, teksa tha se po të mos ekzistonte pyetja e gazetares, nuk do të ekzistonte as përgjigja e tij.

“Shtrohet pyetja se pse më ka pyetur gazetarja. Gazetarja më ka pyetur se ka presupozuar dëshirën e opozitës. Nëse nuk do të kishte dëshirë të opozitës, nuk do të kishte pyetje të gazetares dhe rrjedhimisht s’do të kishte as përgjigje timen”.

“Pra, gjithçka nderohet mbi hipotezën se opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme. Unë kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita do zgjedhje të parakohshme mund ta bëjmë me 2/3 e kuvendit, shpërndarjen e kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje”, tha Kurti.

Tutje, Kurti tha se nëse opozita është rehat me zgjedhje të reja, qeveria është edhe më rehat, pasi sipas tij, ai po qeveris mbarë e mirë.

“Pra, vetëm nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje, por s’ka pse të rrëzohet qeveria, qeveria e mbarë dhe e mirë nuk rrëzohet, qeveria vazhdon”.

“Mirëpo, nëse opozita është e interesuar që të mos i kemi 12 muaj në vitin e fundit por t’i kemi më pak muaj, atëherë jemi të gatshëm të ulemi dhe ta bëjmë shpërndarjen e kuvendit, por jo ta rrëzojmë qeverinë. Të shkojmë në zgjedhje të reja me shpërndarje të kuvendit. Qeveria s’ka pse të rrëzohet kur është e mbarë dhe e mirë”, tha Kurti,

Kurti për këto tri vjet tha se kanë shënuar rezultate në ekonomi, punësim, shëndetësi dhe ushtri, për çka shtoi se janë krenar dhe ballëhapur.

Kurti përmendi sulmin 24 shtator në Banjskë.

“Po i mbushim tre vjet qeverisje dhe kemi shënuar rezultate për të cilat jemi krenar dhe ballëhapur. Punësimi është më i lartë seç ka qenë ndonjëherë, kemi dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës, mbi 30 mijë gra më shumë kanë vende punë përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Në këtë mes ka edhe formalizim të punësimit, por formalizimi i ekonomisë është përpjekje vazhdueshme e qeverive dhe kur ajo ndodh është po ashtu sukses i Qeverisë”.

“E kemi zbutur hendekun e raportit eksport-import, sepse kemi nxitur dhe kemi përkrahur ekonominë vendore, nga një me nëntë sa ishte, tash është një më gjashtë. Gjatë kësaj kohe qarkullimi i bizneseve është rritur nga 12.5 miliardë sa ishte në vitin 2019, në 11.76 miliardë në vitin 2023, pra ngritje prej 57 për qind. Ka më shumë sundim të ligjit, korrupsioni po luftohet, eliminimi tij varet nga prokuroria dhe gjyqësori”, tha Kurti.

Ai theksoi se si qeveri duan t’i shërbejmë gjithë qytetarëve pa dallim, por duke mos toleruar askënd që të shkel ligjin.

Kurti përmendi po ashtu se Kosova ka pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarët në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike.

“Edi që gjatë kësaj kohe kemi kaluar edhe në vështirësi, sfida e telashe të shumta, në përballje me secilën prej tyre, si qeveri në mendje kemi pasur interesin më të mirë të vendit, e publikut në Republikë, e në qendër shërbimin ndaj tij dhe ndaj juve. Kosova ka pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarët në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas raportit të Bankës Botërore”.

“Jam i bindur që kemi dalë e do të dalim më të fortë e më të përgatitur. Mos të harrojmë që jemi sulmuar në veri të vendit para gjashtë muajsh dhe ndajmë një kufi të gjatë me terrenet e vështira kodrinore malore, me një shtet fqinj me regjim autokratik e përherë më agresiv. Elementet e krimit të organizuar që financohen nga fqinji ynë verior të shndërruar me parlamentar terrorist të dielën e 24 shtatorit ikën me vrap malit tatëpjetë duke i lënë shokët e tyre mercenarë, të vrarë e të plagosur. Ne duam t’i shërbejmë gjithë qytetarëve pa dallim, që d.m.th se nuk mund të tolerojmë askënd që shkel ligjin, bie ndesh me Kushtetutën dhe synon përfitimin nga krimi. Gjithmonë mund të bëhet më shumë, e shpesh ka gjëra që kanë mundur të jenë edhe më shpejtë. Ne thelb, është vendosmëria për të ecur përpara, e për të shërbyer pavarësisht pengesave”, tha Kurti.