Kurti e falënderon ministrin e Jashtëm të Luksemburgut për mbështetjen ndaj Kosovës

para 10 dite

Në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, takimin e radhës kryeministri Albin Kurti e zhvilloi me ministrin e Punëve të Jashtme, njëherësh zëvendëskryeministrin aktual dhe ish-kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.

Kurti e falënderon ministrin e Jashtëm të Luksemburgut për mbështetjen ndaj Kosovës Foto: Ilustrim

Në këtë takim, Zyra e Kryeministrit tha se ata dy diskutuan rreth raporteve ndërshtetërore, nivelit të zbatueshmërisë dhe përfitimet nga marrëveshjet bilaterale që Kosova dhe Luksemburgu kanë në fusha të ndryshme, si dhe për “mundësitë e reja të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes”.

Sipas ZKM-së, Kurti atij i ka treguar për “përparimin ekonomik e demokratik dhe respektimin e të drejtave të njeriut, krahas stabilitetit institucional, politikave fiskale, pozitës gjeografike dhe fuqisë punëtore profesionale, si përparësi që Kosova ka për investitorë të huaj”.

“Ai veçoi avancimin dhe potencialin që vendi ynë ka në fushën e informacionit dhe shërbimeve digjitale, dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në drejtim të tranzicionit energjetik, energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës energjetike që ndikojnë për të mirë si mjedisin ashtu edhe ekonominë.

Kurti gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për rolin aktiv, ndër të tjera në fuqizimin e shoqërisë, përkrahjen e nismave mjedisore, asistencës teknike, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes Agjencisë Zhvillimore LuxDev.

Ky ishte takimi i dytë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Bettel. Në korrik të vitit të kaluar, Kurti e kishte mirëpritur atëherë kryeministrin Bettel në Prishtinë, në kuadër të vizitës së tij zyrtare bashkë me ish-kryeministrin e Holandës, Mark Rutte.

“Si një nga vendet e para që njohu pavarësinë tonë në vitin 2008, Luksemburgu në vazhdimësi ka qenë përkrahës i Republikës së Kosovës dhe kontribuues në fushën e ekonomisë, edukimit, shëndetësisë dhe sigurisë”, tha ZKM.