Kurti dhe liderët politikë vizitojnë BIK-un, thirrje për paqe dhe unitet në festën e Kurban Bajramit

16.06.2024

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Bashkësia Islame e Kosovës ka organizuar pritjen tradicionale në selinë e saj.

Kurti dhe liderët politikë vizitojnë BIK-un, thirrje për paqe dhe unitet në festën e Kurban Bajramit Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti falënderoi Myftiun Naim Tërnava për pritjen e ngrohtë, derisa përcjelli urimet për të gjithë qytetarët.

“Ua uroj edhe njëherë Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve qytetarëve të vendit tonë shqiptarëve kudo që janë. Kjo festë na përkujton rëndësinë e skarificës dhe mbi të gjitha rëndësinë e gatishmërisë për sakrificë. Kurban Bajrami është festë që të mirat familjare i ndajmë me miqt e fqinjët dhe me të varfërit. Ndajmë edhe kohë, dashuri, mirësjellje e dashamirësi me të gjithë”, tha Kurti.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar gjithashtu Bashkësinë Islame të Kosovës, prej ku uroi festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve mysliman, duke thënë se të jetojmë me porosinë e festës që është sakrifica dhe solidariteti i ndërsjellët.

Ai tha se në këtë festë duhet gëzuar së bashku por edhe duhet t’i gjendemi njëri-tjetrit.

“Uroj myftiun Tërnava, të gjithë besimtarët islam të Kosovës, shqiptarët kudo që janë për festën e Kurban Bajramit, ta gëzojmë bashkë, t’i gjendemi njëri-tjetrit dhe të jetojmë me porosinë e festës që është sakrifica dhe solidariteti i ndërsjellët”, tha ai.

BIK-un e ka vizituar dhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza. Ai ka bërë thirrje për paqe dhe unitet.

“Ishim për ta uruar myftiun Tërnava për festën e Kurban Bajramit. I uroj gjithashtu të gjithë qytetarët, u uroj shëndet e begati në familjet e tyre.Urojmë që në festa të tilla të ketë gjithmonë harmoni dhe paqe dhe të gjithë së bashku të punojmë për progres dhe prosperitet”, tha Hamza.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vizituar BIK-un ku nga aty ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e Kurban Bajramit.

“Kjo festë na kujton vlerat më të larta njerëzore, sakrificën e krijuesit, solidaritetin ndaj njerëzve dhe mirësinë ndaj njëri-tjetrit.Një shoqëri që beson në zot që përkujdeset për familjen, për atdheun e vendin është shoqëri me prosperitet”, tha Abdixhiku.

Myftiu Naim Tërnavën, ndërkaq njoftoi se Bashkësia Islame e Kosovës për këtë Bajram ka ndihmuar mbi 4 mijë familje që kanë nevojë.