Kurti: BE-ja e SHBA-ja ta mbrojnë marrëveshjen me Serbinë

13.12.2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të mbrohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa ka akuzuar Beogradin për shkelje të saj pa pasoja. Këto komente Kurti i bëri të mërkurën në një debat të organizuar nga Këshilli Atlantik, me temën “Kthimi […]

Kurti: BE-ja e SHBA-ja ta mbrojnë marrëveshjen me Serbinë Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të mbrohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa ka akuzuar Beogradin për shkelje të saj pa pasoja.

Këto komente Kurti i bëri të mërkurën në një debat të organizuar nga Këshilli Atlantik, me temën “Kthimi në rrugën e duhur: Zhbllokimi i ardhmërisë euroatlantike dhe zhvillimore të Kosovës”, duke thënë se normalizimi i raporteve “ka nevojë për normalizimin e Serbisë”.

“Dhe e gjithë kjo jo vetëm sepse nuk duhet kundërshtuar anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por sepse Kosova dhe Serbia duhet të jenë në gjendje të jetojnë krah për krah si fqinjë normalë me marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane”, ka thënë kryeministri Kurti, duke theksuar se për këtë arsye e kishte mirëpritur letrën e presidentit amerikan Joe Biden në vitin 2021, që e vendosi njohjen e ndërsjellë në qendër të një marrëveshjeje të ardhshme të normalizimit.

“Përballë pushtimit rus të Ukrainës, komuniteti Atlantik kërkoi pajtimin me më pak. Në vend të një marrëveshjeje përfundimtare të përqendruar në njohjen e ndërsjellë, qeveritë kërkuan një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë de facto. Natyrisht, Qeveria jonë është për dialog, dhe në çdo rrethanë ne angazhohemi vetëm për marrëveshje që çojnë më tej interesat e Kosovës dhe forcojnë shtetësinë tonë dhe që nuk e pakësojnë apo dëmtojnë atë”, është shprehur ai.

Kurti e ka kritikuar diplomacinë perëndimore se ka e “përkëdhelur” presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, mësimi i luftës në Ukrsinës është se “përkëdhelja e autokratëve nuk funksionon”.

Ata (autokratët v.j.) e marrin bujarinë e treguar ndaj tyre si një shenjë dobësie, frike ose të dyjave. Ata, për fat të keq, kuptojnë vetëm qëndrueshmërinë dhe forcën demokratike. Por në vend të shkopinjve, presidentit të Serbisë i janë ofruar karota. Sa më shumë telashe të bëjë në rajon, aq më shumë para kërkon dhe merr nga BE-ja. Sa më shumë të lëvizë drejt Rusisë dhe Kinës, aq më shumë Bashkimi Evropian e ndjek me fonde. Ndërkohë, që prej ardhjes së tij në pushtet, Serbia vetëm sa është rikthyer në autokraci”, ka potencuar Kurti.

Ai ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për dialog.

“Tani kemi një marrëveshje që duhet mbrojtur nga ata që e kanë sjellë. Nuk mund të ndodhë që një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme të shkelet pa pasoja. Megjithatë, Serbia ka shkelur në shumë raste pa asnjë pasojë”, ka thënë ai.

Ndërsa, kreu i ekzekutivit është shprehur se Kosova ka një histori suksesi të ndërhyrjes së NATO-s.

“Të përdorësh Kosovën si precedent për të justifikuar ndërhyrjen diku tjetër, siç po bën Kremlini, nuk është gjë tjetër veçse një sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe arsyes. Një gjë e tillë tregon një shpërfillje të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe përgjegjësisë për të mbrojtur, si një normë ndërkombëtare që kërkon të sigurojë që bashkësia ndërkombëtare të mos dështojë më kurrë në ndalimin e krimeve të mizorive masive të gjenocidit, krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit”, tha kryeministri Kurti.

Bashkimi Evropian u ka thënë Kosovës e Serbisë se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.