Kurti anuloi vendimin e Hotit: Rregullatori i energjisë të jetë i pavarur

Kurti anuloi vendimin e Hotit: Rregullatori i energjisë të jetë i pavarur
Herolind Bytyçi

13.04.2021 / Lajme

Është anuluar vendimi i propozuar në dhjetor të vitit të kaluar, me të cilën Qeveria e kaluar ka propozuar Kuvendit kandidatët për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti për mes një shkrimi në Facebook, u ka bërë thirrje të gjithë profesionistët e kësaj fushe të konkurrojnë për këto pozita.

“Ne kemi një regullator të energjisë që duhet të jetë i pavarur dhe i fuqishëm, kështu mundësohet kufizimi i ndikimit të paautorizuar në vendimmarrje dhe sigurohet stabilitet në regjimin rregullator. Vendimet e këtij institucioni kanë ndikim direkt në jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, në konkurrueshmërinë e prodhuesve e sipërmarrësve tanë, në çmimin e furnizimin me energji, por edhe në mjedisin në të cilin jetojmë. Duke marrë parasysh fuqinë dhe përgjegjësinë e këtij institucioni si dhe natyrën tekniko-profesionale të rregullimit të këtij sektori, duhet të sigurohemi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) drejtohet nga profesionistët më të mirë të fushës që i kemi.

Rihapja e konkursit ka dobinë e rritjes së numrit të aplikantëve cilësorë për këto pozita. Konsiderojmë se kjo vlen posaçërisht në kontekstin e një ndryshimi të madh shpresëdhënës në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Me këtë rast inkurajojmë të gjithë profesionistët e fushës, përfshirë bashkatdhetarët nga mërgata, që të konkurrojnë për këto pozita. Prandaj edhe morëm vendimin e sotëm përkatës në mbledhjen e Qeverisë”, shkruan ai.

RAPORTO