Arrestimet e para nga Gjykata Speciale sipas njohësve të sistemit të drejtësisë do të fillojnë pasi që të formohet Qeveria e re.

Gjykata Speciale gjatë ditës së sotme ka dërguar 7 ftesa për intervistim, ndërsa arrestimet e para pritet të ndodhin ditëve në vijim. Njohësit e çështjeve të drejtësisë, presin që aktakuzat e para të ngritën kur edhe qeveria të formohet.

Arton Dehmhasaj nga organizata “Çohu” thotë se koha e intervistave ndaj personave te thirrur nga Gjykata Speciale është duke përfunduar, dhe sipas tij kur edhe të formohet qeveria do të fillojnë edhe arrestimet e para nga kjo gjykatë

“Cikli i intervistave nga Gjykata Speciale po vjen duke përfunduar. Po mendoj se në momentin që të krijohet qeveria dhe një stabilitet politik mund të vijnë aktakuzat e para dhe njëkohësisht edhe arrestimet e para nga Gjykata Speciale”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arton Demhasaj.

Ndërsa Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional thotë së ka fillimi i pranverës do të fillojnë edhe aktakuzat e para.

“Sipas të gjitha gjasave, mbi bazën e asaj që po shohim, diku nga fillimi i pranverës së hershme mund të kemi aktakuzat e para”, deklaroi Nrecaj

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thonë se rreth katër persona pritet të arrestohen deri në muajin nëntor. Ndërkaq kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati nuk i përjashton as protestat.

Numri i të ftuarve për intervistim ka arritur 110, pa llogaritur ata që nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, apo që nuk kanë dashur të publikojnë ftesën e tyre me qëllim të ruajtjes së privatësisë.